| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Hapet ekspozita për historinë e Postës Shqiptare
Ekspozita organizohet nga Posta Shqiptare, në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit të Shqipërisë dhe do të qëndrojë e hapur disa ditë dhe pjesë e ekspozitës janë dokumente, fotografi dhe pulla postare.
Hapet ekspozita për historinë e Postës Shqiptare
Hapet ekspozita për historinë e Postës Shqiptare / AA
5 Dhjetor 2025

Në Shqipëri është hapur ekspozita me fokus historinë e Postës Shqiptare. Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës në ambientet e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit në Tiranë ishin të pranishëm drejtues të institucioneve, studiues dhe filatelistë.

Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Klodiana Spahiu, në fjalën saj në ceremoninë e hapjes u shpreh se ky aktivitet u kujton që me krijimin e shtetit shqiptar janë krijuar edhe institucione të cilat sipas saj kanë qenë po aq të rëndësishme për një shtet.

"Pavarësisht evolucionit të teknologjisë, posta mbetet ndër institucionet më të rëndësishme. Historinë e këtij institucioni e keni një shekullore dhe më tepër", theksoi Spahiu.

Administrator i Postës Shqiptare, Etjen Xhafaj, tha se ekspozita është organizuar për ta përkujtuar 113-vjetorin e administratës së parë postare në Shqipëri.

"Për ne është një rast shumë i mirë për të kujtuar mbi të gjitha rrënjët e Postës Shqiptare. Është një datë shumë e veçantë edhe për ne sepse rikujtojmë që rëndësia e këtij institucioni është shumë më e madhe ndër vite, jo vetëm për peshën që ka tani si një shërbyes, edhe si një vlerë kombëtare, por mbi të gjithë për atë rol që ka pasur në historinë e vendit, duke forcuar themelet e shtetit shqiptar duke siguruar kanalet e komunikimit, por dhe duke mbajtur një trashëgimi historike", tha Xhafaj.

Ekspozita organizohet nga Posta Shqiptare, në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit të Shqipërisë dhe do të qëndrojë e hapur disa ditë dhe pjesë e ekspozitës janë dokumente, fotografi dhe pulla postare.

Kujtojmë se 5 dhjetori i vitit 1912, shënon krijimin e administratës së parë postare shqiptare.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë