Shqipëria përkujton sot dëshmorët e rënë gjatë një proteste të Partisë Socialiste para Kryeministrisë më 21 janar 2011.
Plot para 15 vitesh u vranë katër protestues: Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda. Katër viktimat e 21 Janarit 2011 u shpallën Dëshmorë të Atdheut.
Gjykata e Strasburgut e cilësoi vrasjen e katër protestuesve si “krim shtetëror që duhej zbardhur”, ndaj në korrik të vitit 2024 Prokuroria e Posaçme (SPAK) rinisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin.
Gjykata e Strasburgut urdhëroi Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, ndaj Sali Berishës, ish-kryeministër, Lulzim Bashës, ish-ministër i Brendshëm dhe Ndrea Prendit, ish-kreu i Gardës së Republikës.
Drejtues të Partisë Socialiste kanë kërkuar zbatimin e vendimit të GjEDNJ-së për ngjarjen e “21 janarit”. Disa ditë më parë në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, kreu i grupit Taulant Balla vuri në dukje se presin nga drejtësia, veçanërisht nga Prokuroria e Posaçme, zbatimin e vendimeve të GjEDNj-së dhe Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, lidhur me plot aspekte të asaj ngjarjeje.
“Ne nuk kemi hyrë asnjëherë në meritën apo përmbajtjen e dosjeve penale, por Kuvendi i Shqipërisë ka përgjegjësi në kontrollin e zbatimit të vendimeve të GjEDNj-së bashkë me Ministrinë e Drejtësisë”, theksoi Balla.




















