Sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Larijani, mohoi të hënën pretendimet se Teherani kishte kërkuar të rifillonte negociatat me Uashingtonin, duke deklaruar se Irani nuk do të angazhohet në bisedime me Shtetet e Bashkuara.
Larijani, përmes një postimi në platformën X, reagoi ndaj raportimeve që pretendonin se Irani kishte ndërmarrë iniciativa të reja për të negociuar me ShBA-në.
Duke iu referuar një raporti të Al Jazeera-s, i cili citonte gazetën The Wall Street Journal, sipas të cilit Larijani kishte tentuar të rifillonte negociatat me Uashingtonin përmes Omanit, ai theksoi: “Ne nuk do të negociojmë me ShBA-në.”
Në një postim tjetër, Larijani reagoi edhe ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për Iranin.
Duke e kritikuar Trumpin për, siç tha ai, futjen e rajonit në kaos përmes “iluzioneve boshe”, Larijani deklaroi:
“Tani ai është i shqetësuar për humbje të tjera të ushtarëve amerikanë. Me iluzionet e tij, ai e ka shndërruar sloganin ‘Amerika e Para’ në ‘Izraeli i Pari’ dhe ka sakrifikuar trupat amerikane për etjen e Izraelit për pushtet”.
Ai e akuzoi më tej Trumpin se po “i detyron ushtarët amerikanë dhe familjet e tyre të paguajnë çmimin përmes gënjeshtrave të reja”.
Fushata e përbashkët ushtarake amerikano-izraelite, e nisur të shtunën, ka vrarë disa zyrtarë të lartë iranianë, përfshirë Udhëheqësin Suprem, Ayatollah Ali Khamenei.
Teherani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar vende të Gjirit. Tre ushtarë amerikanë janë vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur rëndë.

















