Türkiye po zgjerohet me strukturat e saj mbështetëse për startup-et gjatë gjithë rrugëtimit të tyre, nga kontakti i parë me ekosistemin dhe themelimi i kompanisë, deri te rritja e qëndrueshme dhe në fund zgjerimi global, tha ministri i Industrisë dhe Teknologjisë i Türkiye-s, Mehmet Fatih Kacir.
Në Samitin “Take Off” në Istanbul të mërkurën ai theksoi se rregulloret që nxisin inovacionin, të zhvilluara në dialog të ngushtë me themeluesit dhe investitorët, u lejojnë modeleve të reja të biznesit të shfaqen, të rriten dhe të konkurrojnë.
Ngjarja dyditore organizohet nga Ministria e Industrisë dhe e Teknologjisë e Türkiyes dhe Zyra e Investimeve dhe e Financave e Türkiyes, me Agjencinë Anadolu që shërben si partner global komunikimi.
Eventi përfshin fjalime nga zyrtarë dhe ekspertë për një sërë temash, duke përfshirë fintech, lidhshmërinë, ekonominë e hapësirës, inovacionin dhe tregjet në zhvillim.
“Ne po i përshtatim politikat dhe projektet tona me këtë vizion. Po investojmë fuqishëm për ta pajisur brezin e ri me aftësitë e së ardhmes,” tha Kacir.
Ai theksoi se studiot e lojërave me bazë në Türkiye kanë krijuar hite globale të shijuar nga qindra milionë lojtarë, dhe se përtej lojërave, startup-et turke me rritje të shpejtë në shpërndarjen ushqimore, fintech dhe inteligjencën artificiale po formësojnë përvojën e përdoruesit dhe po vendosin standarde të reja në Evropë, Lindjen e Mesme dhe më gjerë.
Deri në vitin 2019, asnjë startup teknologjik turk nuk kishte arritur statusin e “unicorn”, një vlerësim prej 1 miliard dollarësh ose më shumë, por Türkiye tani ka shtatë “njëbrirësh” (unicorns), “të cilat i quajmë turcorns,” tha ministri.
Shifrat e R&D të Türkiyes
Duke prekur arritjet e vendit në prodhim, eksport dhe zinxhirët e furnizimit, ministri tha se Türkiye është e bindur se ky momentum industrial do të vazhdojë, sepse ndër vite ka ndërtuar një infrastrukturë të fortë kërkimi, zhvillimi dhe inovacioni.
Që nga fillimi i viteve 2000, Türkiye e ka rritur buxhetin vjetor për R&D nga 1,2 miliardë dollarë në 20 miliardë dollarë, duke rritur pjesën e këtij investimi në të ardhurat kombëtare nga 0.5 përqind në 1,5 për qind, tha ai.
Edicioni i parë i këtij eventi u mbajt në vitin 2018 si pjesë e Teknofest, para se të zgjerohej dhe të bëhej një event i pavarur.
Samiti i këtij viti po pret rreth 250 investitorë dhe 500 startup-e nga më shumë se 40 vende.
Duke theksuar bashkëpunimin ndërkombëtar, eventi do të ketë pavijone shtetërore nga Spanja, Bangladeshi, Maqedonia e Veriut dhe Uzbekistani, të cilat do të prezantojnë startup-e nga ekosistemet e tyre përkatëse.
Në program përfshihen edhe aktivitete të veçanta si “Entrepreneurial Event” dhe “International Investor Meeting”, për të ndihmuar pjesëmarrësit të krijojnë lidhje të reja biznesi.
Samiti, i cili përfshin gjithashtu sesione të veçanta trajnimi për studentët, synon ta forcojë ndërgjegjësimin komunitar përmes një modeli vullnetar.





















