Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se deri më tani ka pranuar vetëm një kandidaturë për postin e presidentit, atë të Glauk Konjufca, të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ajo theksoi se nuk mund ta thërrasë seancën plenare për zgjedhjen e presidentit pa u paraqitur së paku dy kandidatura, pasi kjo është e domosdoshme për nisjen e procesit të votimit.
Në një konferencë për media, Haxhiu ritheksoi se pa plotësimin e këtij kushti procedural, procesi për zgjedhjen e presidentit nuk mund të fillojë.
“Në cilësinë e kryetares të Kuvendit deri në këtë moment kam pranuar vetëm një kandidaturë për president, kjo kandidaturë është propozuar nga 30 deputet nënshkrues. Sipas dokumentacionit zyrtar që unë e kam para vetes një pjesë e deputetët nga grupi parlamentar i LVV-së dhe disa deputetë nga grupi multietnik ka nominuar zotëri Glauk Konjufca për kandidat për president të Kosovës. Bazuar në Kushtetutën e Kosovës dhe në veçanti në interpretimin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese procedura për zgjedhjen e presidentit kërkon që proces të jenë së paku 2 kandidat të vlefshëm. Procesi i votimit nuk mund të filloj pa u përmbushur ky kusht themelor procedural”, tha ajo.
Albulena Haxhiu theksoi se seancë për zgjedhjen e presidentit nuk mund ta thërras pa pasur dy kandidatë për këtë pozitë.
Ajo tha se aktualisht kanë mbetur më pak se 30 orë deri në përfundim të afatit kushtetues për të zgjedhur presidentit, për çka tha se është “situatë urgjente”.
“Derisa nuk kemi së paku dy kandidat që kanë siguruar mbështetjen e nevojshme prej 30 deputetësh unë nuk mund të thërras seancë për zgjedhjen e presidentit. ”, tha Haxhiu.
Kryekuvendarja Haxhiu i ka ftuar deputetët e Kuvendit të Kosovës të reflektojnë dhe të propozojnë edhe një kandidatë tjetër përveç Glauk Konjufcës.
















