Numri i viktimave në Filipine nga tajfuni Kalmaegi u rrit në 188 të premten, ndërsa stuhia la vendin dhe hyri në territorin e Vietnamit, ku shkaktoi vdekjen e dy personave.
Një total prej 135 personash vazhdojnë të jenë të zhdukur dhe 96 të tjerë janë plagosur për shkak të dëmeve të shkaktuara nga Kalmaegi, i njohur lokalisht si Tino, tha Diego Mariano, zëvendës zëdhënës i Zyrës së Mbrojtjes Civile (OCD), sipas mediave lokale Inquirer.
Qyteti Cebu në rajonin Qendror Visayas regjistroi 139 viktima, ndërsa vdekjet e tjera u raportuan në provincat Cebu, Negros Occidental, Negros Oriental, Agusan del Sur, Capiz dhe Southern Leyte, si dhe nga një viktimë në Antique, Iloilo, Guimaras, Bohol dhe Leyte.
Një raport zyrtar tha se gjithsej 2.258.782 persona janë prekur nga tajfuni, me të paktën 397.634 që vazhdojnë të strehohen në qendra evakuimi.
Para se të dilte nga Zona e Përgjegjësisë së Filipineve të enjten — një rajon i përcaktuar në Oqeanin Paqësor Veriperëndimor ku Administrata Filippine e Shërbimeve Meteorologjike, Gjeofizike dhe Astronomike (PAGASA) monitoron stuhitë — Kalmaegi u përplas tetë herë me tokën, duke shkaktuar shkatërrim në disa pjesë të rajoneve Visayas dhe Mindanao.
Në mbarë vendin u dëmtuan gjithsej 9.585 shtëpi, përfshirë 264 që u shkatërruan plotësisht.
Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr., shpalli gjendjen e fatkeqësisë kombëtare për shkak të pasojave të tajfunit Kalmaegi dhe në pritje të një tajfuni tjetër që pritet të godasë vendin, raportuan të enjten mediat lokale.
Filipinet pritet të goditen gjatë fundjavës nga supertajfuni Fung-wong, i njohur lokalisht si Uwan.
Kjo katastrofë natyrore ndodh pas një tërmeti të fuqishëm me magnitudë 6,9 që goditi Cebu më 30 shtator, duke shkaktuar dhjetëra viktima dhe zhvendosur mijëra persona.
Në Vietnam, dy persona humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën në provincën qendrore Dak Lak si pasojë e Kalmaegit, pasi stuhia preku tokën në provincat qendrore të vendit të enjten vonë, sipas faqes Vietnam News që citoi raportet zyrtare.
Sipas agjencisë shtetërore Vietnam News Agency, stuhia rrëzoi çatitë e qindra shtëpive, përmbyti shumë rrugë, shkul drunj dhe shtylla elektrike, pengoi qarkullimin dhe shkaktoi ndërprerje të mëdha të energjisë elektrike.
Dymbëdhjetë shtëpi u shkatërruan plotësisht, ndërsa mbi 500 u dëmtuan pjesërisht.
Më shumë se 9.000 persona janë evakuuar nga zonat me rrezik.
Sipas Komandës Provinciale të Mbrojtjes Civile, deri të premten në mëngjes, tajfuni ishte dobësuar në një depresion tropikal.






















