| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Rreth 800 hektarë tokë ende e përmbytur në Shkodër përpos rënies së nivelit të ujit
Ndonëse ka pasur rënie të nivelit të ujit orëve të fundit, rreth 800 ha tokë vijon të jetë e përmbytur, informon bashkia Shkodër.
Rreth 800 hektarë tokë ende e përmbytur në Shkodër përpos rënies së nivelit të ujit
Rreth 800 hektarë tokë ende e përmbytur në Shkodër përpos rënies së nivelit të ujit / ATA
13 Janar 2026

Me rënien e nivelit të ujit është përmirësuar situata e përmbytjeve në Shkodër, megjithatë rreth 800 hektarë tokë bujqësore vijon të mbetet e përmbytur. 

Bashkia e Shkodrës informoi se gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit ka pasur monitorim të vazhdueshëm dhe situata hidrologjike në territor paraqitet më e stabilizuar krahasuar me ditën e djeshme, me uljen e niveleve të ujit në zonat e prekura.

Gjendja aktuale e përmbytjeve në territorin e bashkisë Shkodër:

Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore paraqet prezencë uji rreth 100 cm, nga 110 cm që ishte një ditë më parë, duke shënuar ulje rreth 10 cm. 

Mjetet e bashkisë Shkodër dhe strukturave mbështetëse do të qëndrojnë edhe përgjatë ditës së sotme në Obot, në gatishmëri për garantimin e aksesit dhe ndihmës ndaj banorëve. 

Bashkia Shkodër njofton se gjatë ditës së djeshme është realizuar furnizimi i banorëve me 1 kamion.

Në Obot ka banesa me prezencë uji në oborre, ndërsa deri në këto momente nuk ka raportime për prezencë uji në brendësi të banesave.

Në Njësinë Administrative Dajç, në zonën Urrelat – Shirq, është konstatuar ulje e nivelit të ujit rreth 10 cm krahasuar me ditën e djeshme. Vijon të ketë prezencë uji në kanalet kulluese të tokave bujqësore, por pa depërtim në banesa.

Prezenca e ujit në tokat bujqësore raportohet të ketë mbuluar rreth 80 hektarë në Dajç, rreth 120 hektarë në Velipojë, rreth 550 hektarë në Anën e Malit, rreth 50 hektarë në Bërdicë.

Situata paraqitet e qëndrueshme dhe në përmirësim, ndërsa monitorimi në terren vazhdon pa ndërprerje nga strukturat përgjegjëse.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë