Nëndetësja turke “TCG INONU” po viziton Portin e Durrësit, ndërkohë sipas autoriteteve shqiptare do të qëndrojë në port disa ditë.
Në një njoftim në rrjetet sociale nga Autoriteti Portual Durrës thuhet se vizita treditore e nëndetëses turke është në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe marrëdhënieve të konsoliduara mes forcave detare të vendeve aleate.
"Gjatë kësaj vizite autoritetet portuale në koordinim me Forcën Detare dhe Policinë Ushtarake janë angazhuar maksimalisht për garantimin e masave organizative dhe kushteve të nevojshme për akomodimin, sigurinë dhe mbarëvajtjen e kësaj vizite", thuhet në njoftim.
Sipas Autoritetit Portual Durrës, vizita e nëndetëses turke përfaqëson një moment të rëndësishëm bashkëpunimi ndërkombëtar, "duke reflektuar mundësitë për partneritet të vazhdueshëm dhe forcimin e marrëdhënieve detare dhe të sigurisë në rajon".
Në vitet e fundit Shqipërinë e kanë vizituar disa nëndetëse turke, në kuadër të bashkëpunimit në fushën ushtarake midis dy vendeve.
























