Një instalacion me qëllim përkujtimin dhe mbështetjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës së Kosovës është shfaqur pranë selisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në Nju Jork.
Instalacioni artistik “Thinking of You”, i realizuar nën udhëheqjen e autores dhe ideatores Alketa Xhafa Mripa, u bë i njohur fillimisht në vitin 2015 kur mbi 5 mijë fustane u vendosën në stadiumin e Prishtinës si simbol solidariteti dhe mbështetjeje për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Projekti më pas u ekspozua edhe në qendra të rëndësishme ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në Strasburg dhe Hagë, ndërsa tani ka mbërritur në zemër të Nju Jorku-ut pranë selisë së OKB-së.
Në këtë instalacion ka qenë e pranishme edhe Vasfije Krasniqi Goodman, e njohur si një nga zërat publik më të fuqishëm për përjetimet e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Kësaj radhe, për herë të parë, pjesë e instalacionit është edhe jeleku i Ramadan Nishorit, cili përfaqëson historinë e burrit të parë që ka folur publikisht për përjetimet e dhunës seksuale gjatë luftës.
Jeleku është paraqitur si simbol i guximit dhe thyerjes së heshtjes, duke përçuar mesazhin për drejtësi dhe mbështetje për të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.























