Një hetim paraprak ushtarak amerikan ka dalë në përfundim se forcat amerikane ishin përgjegjëse për sulmin vdekjeprurës të 28 shkurtit ndaj një shkolle fillore në Iran, raportoi të mërkurën New York Times, duke cituar zyrtarë amerikanë dhe burime të tjera të njohura me gjetjet.
Sulmi ndaj shkollës fillore Shajarah Tayyebeh ishte rezultat i një gabimi në përcaktimin e objektivit gjatë orëve të para të luftës që Izraeli dhe ShBA-ja nisën kundër Iranit, sipas hetimit. Oficerët në Komandën Qendrore të ShBA-së (CENTCOM) gjeneruan koordinatat e sulmit duke përdorur të dhëna të vjetruara të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes, të cilat ende e identifikonin ndërtesën e shkollës si pjesë të një baze ushtarake iraniane aty pranë, një klasifikim që nuk ishte më i saktë.
Pentagoni nuk iu përgjigj kërkesës së Anadolus për koment.
Gjetjet përputhen me një seri analizash të mëparshme. CBS News kishte raportuar se një vlerësim paraprak amerikan kishte gjetur se forcat amerikane ishin “me gjasë” përgjegjëse, duke përmendur përdorimin e mundshëm të inteligjencës së vjetruar.
Raporti përputhet gjithashtu me analiza të mëparshme nga platforma hetimore Bellingcat dhe New York Times, të cilat gjetën prova se një raketë Tomahawk, armë që vetëm ShBA-ja dihet se e posedon mes palëve ndërluftuese, goditi një kompleks të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) pranë shkollës.
Presidenti amerikan Donald Trump fillimisht fajësoi Iranin për sulmin, duke thënë se municionet e Teheranit nuk kishin saktësi. Sipas zyrtarëve iranianë, sulmi vrau dhjetëra persona, shumë prej tyre fëmijë.
Shumë medie me përfundime të ngjashme
Edhe disa medie të tjera kanë treguar drejt përgjegjësisë së ShBA-së bazuar në imazhe satelitore, video të gjeolokalizuara dhe vlerësime ekspertësh.
Wall Street Journal, duke cituar një zyrtar amerikan, raportoi se hetuesit ushtarakë amerikanë besojnë se forcat amerikane ka të ngjarë të jenë përgjegjëse, megjithëse ende nuk është arritur një përfundim përfundimtar. Zyrtari pretendoi se kishte indikacione që ndërtesa mund të ishte përdorur si seli e IRGC-së.
New York Times, duke u bazuar në imazhe satelitore dhe video të gjeolokalizuara, zbuloi se shkolla u godit në të njëjtën kohë me sulme precize ndaj një baze detare të IRGC-së aty pranë, ndërsa një ish-zyrtar i Forcave Ajrore të ShBA-së tha se shpjegimi më i mundshëm ishte “identifikimi i gabuar i objektivit”.
BBC Verify raportoi disa pika goditjeje dhe gjurmë djegieje rreth shkollës dhe objekteve të afërta të IRGC-së, ndërsa analistët thanë se modeli i dëmit sugjeronte përdorimin e një municioni depërtues.
Një rindërtim i gazetës britanike The Guardian tregoi gjithashtu se shkolla ndodhej drejtpërdrejt pranë një kompleksi të IRGC-së, e ndarë vetëm nga një mur i ndërtuar në vitet e fundit.
Middle East Eye, duke cituar të mbijetuar dhe ekipet e emergjencës, raportoi për një sulm të mundshëm të tipit “double-tap”, një shpërthim i dytë që goditi zonën menjëherë pas të parit, duke prekur njerëzit që kishin kërkuar strehim.
CBC News vuri në dukje se sulmi përkoi me valën e parë të goditjeve të ShBA-së dhe Izraelit në jug të Iranit.
UNESCO-ja e përshkroi vrasjen e nxënësve si një “shkelje të rëndë” të mbrojtjes së objekteve arsimore sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare dhe bëri thirrje për një hetim të plotë. Deri tani, asnjë palë nuk e ka marrë zyrtarisht përgjegjësinë.
















