Irani nuk synon zhvillimin e armëve bërthamore, deklaroi të martën zëvendësministri i Jashtëm i vendit, duke theksuar se Teherani dëshiron të arrijë një marrëveshje paqësore bërthamore me Shtetet e Bashkuara.
Duke folur në Forumin Strategjik të Abu Dhabit, Saeed Khatibzadeh theksoi se programi bërthamor iranian është paqësor dhe plotësisht i bazuar në aftësitë vendase të Iranit.
“Arma bërthamore nuk është pjesë e programit iranian,” tha Khatibzadeh, i cili gjithashtu drejton Qendrën për Diplomaci Publike në Ministrinë e Jashtme.
Megjithatë, diplomati i lartë iranian akuzoi Uashingtonin se përmes palëve të treta dërgon “mesazhe kontradiktore” lidhur me negociatat bërthamore.
Ai shtoi se arritja e një marrëveshjeje me ShBA-në është e mundur vetëm në përputhje me udhëzimet e liderit suprem, ajatollah Ali Khamenei, i cili vazhdimisht mbështet dialogun e bazuar në respekt të ndërsjellë.
Khatibzadeh theksoi se Irani nuk do të heqë dorë nga interesat e tij kombëtare të sigurisë.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur Irani dhe ShBA-ja vazhdojnë të jenë në ngërç sa i përket rifillimit të diplomacisë indirekte bërthamore, e cila u ndërpre pas sulmeve izraelite në mes të qershorit. Këto sulme ndodhën vetëm dy ditë para se të fillonte raundi i gjashtë i negociatave indirekte iraniano-amerikane me ndërmjetësimin e Omanit.
Zyrtarët iranianë fajësuan ShBA-në për sulmet izraelite që shkaktuan një luftë 12-ditore midis Teheranit dhe Tel Avivit, ku u vranë më shumë se 1.000 persona në Iran, përfshirë komandantë të lartë ushtarakë.
Një ditë më parë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, deklaroi se marrëdhëniet midis Iranit dhe ShBA-së janë “të formuara nga një përvojë e gjatë historike”, duke përsëritur qëndrimin e ajatollah Khamenei-t.
“Disa sugjerojnë që Irani të ndërmarrë ‘hapa të guximshëm’ njëanshëm duke injoruar agresionin dhe sjelljen amerikane në rajon, por kjo është e gabuar. ShBA-ja ka sulmuar Iranin, krenohet me këtë, dhe më pas pretendon se është e gatshme për negociata,” tha Baghaei.
Irani këmbëngul se vazhdon të respektojë detyrimet e tij si nënshkrues i Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT) dhe mbron pasurimin e uraniumit deri në 60 për qind, ndërsa Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Energjinë Atomike dhe vendet perëndimore shprehin shqetësim për këtë proces.























