Qillimët tradicionalë të Elbasanit, fijet e kohës që marrin jetë në tezgjah
RAJONI
3 minuta leximi
Qillimët tradicionalë të Elbasanit, fijet e kohës që marrin jetë në tezgjahFijet shtrihen njëra pas tjetrës, numërohen me kujdes dhe kthehen ngadalë në qilima që mbajnë brenda historinë, durimin dhe përkushtimin e një zanati të lashtë që e zotron prej vitesh Zana Hoxha.
Qillimët tradicionalë të Elbasanit, fijet e kohës që marrin jetë në tezgjah / AA
6 Janar 2026

Në katin e dytë të një shtëpie, në një nga lagjet më të vjetra të qytetit të Elbasanit, ngjyrat marrin jetë në tezgjah. Fijet shtrihen njëra pas tjetrës, numërohen me kujdes dhe kthehen ngadalë në qilima që mbajnë brenda historinë, durimin dhe përkushtimin e një zanati të lashtë.

Bëhet fjalë për punëtorinë e Zana Hoxhës, një prej pak grave që ende mban gjallë artin e qilimbërjes tradicionale në Shqipëri.

E mahnitur nga zhurma karakteristike e tezgjahut që kërciste “çak, çak”, që fëmijë, ajo ulej pranë nënës e gjyshes dhe zhytej në ngjyrat e ndezura të qilimave që merrnin formë nën duart e tyre. Zanati hyri gradualisht në jetën e saj dhe, rreth moshës 12–13 vjeçare, ajo nisi ta përjetojë jo thjesht si punë, por si pasion. Çdo qilim nis që nga filli. Në verë, Zana mbledh leshin, e lan dhe e përpunon, për ta çuar më pas në tjerrje. Fijet i ngjyros vetë, duke përdorur bimë dhe materiale natyrale.

“Qilimi nuk hidhet kollaj, të paktën 50 vjet. Kam një qilim nga koha e vjehrës sime. Është shumë i ngrohtë dhe njëkohësisht shumë ekologjik. Shumicën e ngjyrave i bëj vetë, si disa nuanca bezhë apo të zezën, janë ngjyra natyrale. Kam dafinë, kam arrë… çdo bimë, çdo pemë lëshon ngjyrën e vet. I ziejmë me ujë dhe, pasi nisin ta lëshojnë ngjyrën, unë filloj t’i ngjyros fijet”, shpjegon ajo, ndërsa ndan fijet dhe planifikon me saktësi se sa ngjyrë do t’i duhet secilit qilim.

Procesi është i ngadaltë dhe kërkon durim

Kur modeli është i vështirë, Zana arrin të punojë vetëm rreth 20 centimetra në ditë, ndërsa modelet më të thjeshta i lejojnë të ecë deri në 30 centimetra. Disa qilima shtrihen deri në 17 metra gjatësi dhe për punimet më të veçanta nevojiten muaj të tërë pune, madje edhe një vit i plotë. Vlera e tyre  varion nga pesë mijë lek të vjetra deri në  miliona lekë te vjetra.

Në shtëpinë e saj  ku ruhen edhe qilima të trashëguar brez pas brezi, dëshmohet se ky zanat është njëkohësisht estetik, funksional, i ngrohtë dhe ekologjik. Sot, qilimat e Zanë Hoxhës vlerësohen si nga shqiptarët, ashtu edhe nga të huajt dhe bashkatdhetarët që jetojnë jashtë vendit.

Me tri tezgjahe në punë dhe me një trashëgimi që vazhdon, Zana po ua përcjell zanatin brezave të rinj. Vajza, nusja e djalit dhe edhe mbesa e vogël, që me padurim kërkon të ngjitet pranë tezgjahut, janë pjesë e kësaj historie. Kur njerëzit i thonë “të lumshin duart”, ajo ndihet e kënaqur dhe krenare, sepse për të, qilimbërja nuk është thjesht punë, por një art që duhet ruajtur.

BURIMI:TRT Balkan