RAJONI
2 minuta leximi
Presidentja e RMV-së: BE-ja t’u japë fund standardeve të dyfishta
“Theksova nevojën që më në fund të vihet një pikë ndaj dy standardeve, sepse ato nuk janë as sjellje evropiane, as vlerë evropiane, por sjellje antievropiane,” shkroi presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.
Presidentja e RMV-së: BE-ja t’u japë fund standardeve të dyfishta
Presidentja e RMV-së: BE-ja t’u japë fund standardeve të dyfishta / AA
25 Shtator 2025

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, theksoi se është e nevojshme që Bashkimi Evropian t'i “ndalojë dy standardet” dhe shtoi se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është “ilaç për dilemat e sigurisë dhe ndarjet e reja që tashmë po shfaqen”.

Siljanovska-Davkova mori pjesë së bashku me zyrtarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor në një takim pune të organizuar nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për punë të jashtme dhe politikë sigurie, Kaja Kallas.

“Theksova nevojën që më në fund të vihet një pikë ndaj dy standardeve, sepse ato nuk janë as sjellje evropian, as vlerë evropiane, por sjellje antievropiane”, shkroi Siljanovska-Davkova në platformën sociale X.

“Aktualisht, integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është kyç, jo vetëm si proces zgjerimi, por si një reintegrim themelor i rajonit në Evropë, ku historikisht dhe kulturalisht kemi qenë gjithmonë pjesë. Ky është ilaç për dilemat e sigurisë dhe ndarjet e reja që tashmë po shfaqen.”

Ajo shprehu besimin se BE-ja, ashtu si në kohët e vështira të së kaluarës, do të tregojë kreativitet dhe unitet.

“Është e rëndësishme që Ballkani Perëndimor të shihet si një e tërë, dhe nëse ekziston një hendek në ritmin e progresit mes vendeve, kjo mund të shkaktojë ndarje shtesë në vend të bashkimit”, tha Siljanovska-Davkova.

Përveç presidentes së Maqedonisë së Veriut, në takim morën pjesë ministrat e punëve të jashtme të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Serbisë, Elemedin Konakoviq dhe Marko Gjuriq, si dhe presidentët e Malit të Zi, Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Jakov Millatoviq, Vjosa Osmani dhe Bajram Begaj.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë