RAJONI
1 minuta leximi
Kosova e Kroacia thellojnë bashkëpunimin në ekonomi, shëndetësi e arsim
Gërvalla nëpërmjet rrjetit social amerikan X, njoftoi se me homologun Radman kanë biseduar mbi mënyrat e thellimit të bashkëpunimit midis Kosovës dhe Kroacisë me fokus në disa çështje.
Kosova e Kroacia thellojnë bashkëpunimin në ekonomi, shëndetësi e arsim
Kosova e Kroacia thellojnë bashkëpunimin në ekonomi, shëndetësi e arsim / TRT Balkan
24 Shtator 2025

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz ka takuar në Nju Jork ministrin e Jashtëm të Kroacisë, Gordan Gërliq Radman. 

Gërvalla nëpërmjet rrjetit social amerikan X, njoftoi se me homologun Radman kanë biseduar mbi mënyrat e thellimit të bashkëpunimit midis Kosovës dhe Kroacisë me fokus në disa çështje.

"Prioritetet kryesore përfshijnë njohjen reciproke të patentë-shoferëve, bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë, arsimit, mbrojtjes civile, si dhe nxitjen e investimeve përmes Komisionit të Përbashkët për Tregti dhe Ekonomi", theksoi kryediplomatja kosovare.

Gjithashtu, Gërvalla bëri të ditur se me ministrin kroat janë dakorduar se fuqizimi i të rinjve është çelësi për një demokraci të qëndrueshme dhe të ardhmen e shoqërive të të dyja vendeve.

Ajo tha se Kroacia ka qenë gjithmonë një mike dhe partnere e vërtetë e Kosovës, duke e mbështetur në çdo etapë të shtetndërtimit.

"Për këtë, Kosova i është thellësisht mirënjohëse", shtoi Gërvalla-Schwarz.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë