| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
MPJD-ja kërkon angazhim ndërkombëtar pas arrestimit të Mitehat Llozhanit në Serbi
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka bërë thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të rrisë presionin ndaj autoriteteve të Serbisë, e cila sipas MPJD-së "vazhdon praktikën e keqtrajtimit dhe arrestimit të shtetasve të Kosovës".
MPJD-ja kërkon angazhim ndërkombëtar pas arrestimit të Mitehat Llozhanit në Serbi
MPJD-ja kërkon angazhim ndërkombëtar pas arrestimit të Mitehat Llozhanit në Serbi / AA
9 orë më parë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka reaguar një ditë pas arrestimit të shtetasit kosovar, Mitehat Llozhanit, nga autoritetet serbe, duke kërkuar angazhim ndërkombëtar për këtë rast.

MPJD-ja njofton se menjëherë pas marrjes së informacionit lidhur me arrestimin e shtetasit të Kosovës, Mitehat Llozhani, i cili u ndalua me të hyrë në Serbi, në pikën kufitare Batrovci, në kufi me Kroacinë, janë ndërmarrë të gjitha veprimet institucionale.

"Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka adresuar një kërkesë zyrtare pranë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, përmes së cilës ka kërkuar konfirmimin e arrestimit, sqarimin e arsyeve konkrete të ndalimit, si dhe çdo të dhënë tjetër relevante për trajtimin e mëtejmë të rastit", thuhet në reagimin e MPJD-së.

MPJD-ja njofton gjithashtu se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka njoftuar për rastin Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, si dhe ka dërguar nota verbale pranë misioneve diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi, me qëllim sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë së shtetasit kosovar.

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e të arrestuarit dhe përmes Zyrës Ndërlidhëse do të procedojë me paraqitjen e kërkesës zyrtare për lejimin e vizitës ndaj shtetasit Llozhani.

MPJD-ja i ka bërë thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të rrisë presionin ndaj autoriteteve të Serbisë, e cila sipas MPJD-së "vazhdon praktikën e keqtrajtimit dhe arrestimit të shtetasve të Kosovës" duke cenuar kështu normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Deri më tani është raportuar se shtetasit kosovar, autoritetet serbe i kishin gjetur kartën e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë