Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, konfirmoi të hënën se homologu i tij rus, Vladimir Putin, është ftuar t’i bashkohet “Bordit të Paqes”.
“Ai është ftuar”, u tha Trump gazetarëve.
Më herët të hënën, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Putini ishte ftuar të bëhej pjesë e kësaj nisme të udhëhequr nga ShBA-ja.
“Po, vërtet, presidenti Putin ka marrë (ftesë) gjithashtu, përmes kanaleve diplomatike, një ftesë për t’iu bashkuar këtij Këshilli të Paqes. Aktualisht po shqyrtojmë të gjitha detajet e këtij propozimi, përfshirë shpresën për kontakte me palën amerikane për të sqaruar të gjitha nuancat”, sipas Peskov.
Shtëpia e Bardhë njoftoi krijimin e Bordit të Paqes në një deklaratë të premten, duke thënë se ai do të “luajë një rol thelbësor në përmbushjen” e 20 pikave të planit të Trump për t’i dhënë fund përfundimisht luftës së Izraelit në Gaza dhe për rindërtimin e enklavës, si dhe për “sigurimin e mbikëqyrjes strategjike, mobilizimin e burimeve ndërkombëtare dhe garantimin e llogaridhënies teksa Gaza kalon nga konflikti drejt paqes dhe zhvillimit”.
ShBA-ja ka themeluar gjithashtu Komitetin Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG) për të zbatuar fazën e dytë të Planit Gjithëpërfshirës të Trump për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza, së bashku me një Bord Ekzekutiv themelues dhe një Bord Ekzekutiv për Gazën, në mbështetje të NCAG-së.

















