Ushqimi tradicional turk “kaytaz böregi,” një nga simbolet e kuzhinës së provincës juglindore të Türkiyes, Hatay, mori certifikatën e treguesit gjeografik nga Bashkimi Evropian (BE).
I përgatitur duke mbushur brumin e holluar me përzierje mishi të grirë, qepe, salce domatesh dhe erëzash, e më pas i pjekur në furra me gurë, byreku është bërë produkti i 39-të turk që merr certifikim nga BE-ja.
Njohja e kësaj shijeje karakteristike të provincës, që tashmë është pjesë e Rrjetit të Qyteteve Kreative të UNESCO-s për Gastronomi, ka gëzuar mjeshtrit lokalë të byrekëve.
Recep Ibrahimoglu, mjeshtër byreku 57 vjeç, tha për Anadolu se certifikimi nga BE-ja do të thotë që kjo delikatesë tradicionale do të promovohet jo vetëm në Turqi, por edhe në nivel ndërkombëtar.
Duke theksuar se kjo njohje do të kontribuojë në rritjen e dukshmërisë së provincës, Ibrahimoglu tha: “Të shohim zhvillime kaq pozitive në Hatay, i cili u prek nga tërmeti, na bën edhe më të lumtur”.
Ai shtoi se sekreti i shijes së veçantë të këtij byreku qëndron në pjekjen në furrat me gurë.
Kenan Dalyan, 50 vjeç, një tjetër kuzhinier që drejton edhe restorant, tha se byreku është një element i pandashëm në tryezat shtëpiake dhe në restorante.
Dalyan e përshkroi certifikimin nga BE-ja si një burim të madh krenarie, duke thënë: “’Kaytaz böregi’ ka qenë prej kohësh një ushqim i dashur në provincën tonë. Fakti që tani është certifikuar nga BE-ja do të ndihmojë në promovimin e ushqimit tonë dhe të vendit tonë në mbarë botën”.
Ai shtoi se do të bëjnë çmos për ta prezantuar këtë byrek në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar dhe për ta bërë të qasshëm për një audiencë më të gjerë.
Rritja e numrit të produkteve turke të regjistruara me tregues gjeografik nga BE-ja pasqyron trashëgiminë e thellë kulturore dhe bujqësore të vendit.





















