| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Vuçiq: Serbia do të vazhdojë t’i shesë armë Izraelit
Presidenti serb tha se Serbia po punon për modernizimin e ushtrisë dhe për zhvillimin e asaj që ai e quajti një “ushtri digjitale”, duke nënvizuar se janë blerë pajisje ushtarake, përfshirë sistemet “Hermes” dhe “SkyStriker”.
Vuçiq: Serbia do të vazhdojë t’i shesë armë Izraelit
Vuçiq: Serbia do të vazhdojë t’i shesë armë Izraelit / Reuters
2 orë më parë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të shtunën se Serbia do të vazhdojë shitjen e armëve për Izraelin, duke theksuar se dy vendet kanë “bashkëpunim të shkëlqyer” në fushën e mbrojtjes.

Duke komentuar kritikat e disa mediave opozitare se Serbia është një “fabrikë armësh për Izraelin”, Vuçiq tha se nuk dëshiron të komentojë më tej këto pretendime.

“Miqtë tanë janë si izraelitët ashtu edhe arabët dhe për këtë nuk dua të komentoj”, tha Vuçiq për gazetarët gjatë vizitës në fermën familjare Dordeviq, në fshatin Mramorac pranë Smederevska Palankës.

Ai theksoi se mes Serbisë dhe Izraelit ekziston bashkëpunim ushtarak i ndërsjellë.

“Ata na shesin armë neve, ne u shesim armë atyre dhe kjo do të vazhdojë”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se Serbia po punon për modernizimin e ushtrisë dhe zhvillimin e asaj që e quajti “ushtri digjitale”.

“Do të kemi ushtrinë më moderne, sepse thelbi është te teknologjia që shihni në fushëbetejat moderne. Shihni se si një Starlink krijon ose jo probleme në nivelin e Ukrainës. Ajo që do të bëjmë ne do të jetë ndryshe nga gjithçka që keni parë deri tani”, tha Vuçiq.

Presidenti serb kujtoi se për Ushtrinë e Serbisë janë blerë pajisje ushtarake, përfshirë sistemet “Hermes” dhe “SkyStriker”, duke shtuar se një pjesë e pajisjeve të reja ende nuk është prezantuar publikisht.

“Diçka keni parë, diçka nuk keni parë”, tha ai.

I pyetur nëse pajisjet e reja do të shfaqen në një paradë ushtarake, Vuçiq tha se një paradë nuk është planifikuar, por se mund të organizohet një prezantim i veçantë i pajisjeve ushtarake.

Ai shtoi gjithashtu se avionët që përdor Ushtria e Serbisë mund të arrijnë një lartësi prej 12 kilometrash në më pak se dy minuta e gjysmë.

Vuçiq së fundmi ka konfirmuar edhe informacionin për posedimin e raketave hipersonike, gjë që ka shkaktuar polemika në rajon, veçanërisht në Kroacinë fqinje.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë