| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Spanja refuzon t’i bashkohet Bordit të Paqes të Trumpit
“E ardhmja e Gazës duhet të vendoset nga palestinezët”, tha kryeministri spanjoll Pedro Sanchez pas një takimi joformal të udhëheqësve të BE-së në Bruksel.
Spanja refuzon t’i bashkohet Bordit të Paqes të Trumpit
Spanja refuzon t’i bashkohet Bordit të Paqes të Trumpit / AA
23 Janar 2026

Spanja nuk do t’i bashkohet Bordit të Paqes të udhëhequr nga ShBA-ja, deklaroi kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, duke përmendur shqetësime lidhur me mandatin e tij dhe mungesën e përfaqësimit palestinez.

Sanchez tha se Bordi është “jashtë kornizës së OKB-së” dhe nuk përfshin Autoritetin Palestinez.

“E ardhmja e Gazës duhet të vendoset nga palestinezët”, u tha ai gazetarëve pas një takimi joformal të udhëheqësve të Bashkimit Evropian në Bruksel.

“E ardhmja e bashkëjetesës së tyre paqësore dhe të sigurt me Izraelin duhet të vendoset kryesisht nga Izraeli dhe Palestina, përmes një procesi të bazuar në dialog, që zbaton zgjidhjen me dy shtete, lejon hyrjen e ndihmës humanitare dhe garanton paqen mes dy vendeve”, shtoi Sanchez.

Ai theksoi se Spanja “e vlerëson ftesën”, por për arsye “koherence” me politikën e jashtme të Madridit, e cila, sipas tij, bazohet në të drejtën ndërkombëtare dhe institucionet shumëpalëshe.

“Spanja do të vazhdojë të punojë në procesin e paqes me partnerët e tjerë evropianë dhe komunitetin ndërkombëtar”, shtoi ai.

Ndër vendet që kanë pranuar t’i bashkohen Bordit të Paqes janë Türkiye, Egjipti, Katari, Arabia Saudite, Izraeli, Argjentina, Hungaria, Pakistani, Vietnami dhe Shqipëria. Franca dhe Norvegjia kanë refuzuar ftesat për t’u bashkuar, ndërsa presidenti i ShBA-së, Donald Trump, e revokoi ftesën e Kanadasë.

Të enjten, presidenti i Këshillit Evropian tha se udhëheqësit evropianë kanë “dyshime serioze lidhur me një numër elementësh” të statusit të Bordit, përfshirë fushëveprimin, qeverisjen dhe përputhshmërinë e tij me Kartën e OKB-së.

Edhe pse Bordi fillimisht u krijua për ta mbikëqyrur armëpushimin dhe rindërtimin e Gazës, statuti i tij e zgjeron mandatin edhe në ndërtimin e paqes në të gjitha zonat e prekura ose në rrezik konflikti.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë