Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ka bërë të ditur se Ankaraja është pranë zgjidhjes së mosmarrëveshjes me Uashingtonin lidhur me sanksionet amerikane të vendosura për shkak të blerjes nga Türkiye të sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400.
Fidan, i cili ndodhet në Katar në kuadër të Forumit të Dohas, foli për Reuters, ku tha se diskutimet me ShBA-në po përparojnë dhe shprehu optimizëm për rezultatin, duke shtuar: “Besoj se së shpejti do të gjejmë një mënyrë për ta hequr atë pengesë”.
Sanksionet e vitit 2020, të vendosura nën aktin CAATSA, kanë hedhur hije mbi marrëdhëniet mes Washingtonit dhe Ankarasë për gati pesë vjet.
Duke folur mbi Lindjen e Mesme, Fidan tha se lejimi i ndërprerjes së planit të ndërmjetësuar nga ShBA-ja për armëpushimin në Gaza para fazës së tij të radhës do të ishte një “dështim i madh” për botën dhe për Uashingtonin, duke theksuar se presidenti Donald Trump e ka drejtuar personalisht këtë përpjekje.
Ai tha se Hamasi mund të çarmatoset vetëm nëse krijohet një administratë civile palestineze e besueshme dhe një forcë policore e përzgjedhur dhe e trajnuar siç duhet, duke theksuar se grupi është i gatshëm të transferojë autoritetin mbi enklavën.
“Para së gjithash, duhet të shohim që komiteti palestinez i ekspertëve teknik ta marrë administrimin e Gazës, pastaj duhet të shohim krijimin e forcës policore që do të patrullojë Gazën, sërish nga palestinezët, jo nga Hamasi”, tha Fidan.
Bisedimet janë duke vazhduar për ta çuar përpara fazën e radhës të planit të mbështetur nga ShBA-ja për t’i dhënë fund luftës dyvjeçare në Gaza.
Fidan tha se policia e Gazës do të funksiononte me mbështetjen e një force ndërkombëtare të planifikuar për stabilizim. Ai shtoi se Washingtoni po i bën presion Izraelit lidhur me kërkesën e Türkiyes për t’iu bashkuar misionit, duke theksuar se Ankaraja është e gatshme të dërgojë trupa nëse është e nevojshme.
Në Siri mund të ketë “vetëm një ushtri”
Sa i përket Sirisë, i pyetur për marrëveshjen e arritur në muajin mars që parashikon integrimin e Forcave Demokratike Siriane (SDF) në aparatin shtetëror sirian, Fidan tha se mesazhet e fundit nga SDF-ja tregonin se ato “nuk kishin asnjë qëllim” ta zbatojnë marrëveshjen dhe po përpiqen të gjejnë mënyra për ta anashkaluar atë.
Ai theksoi unitetin e autoritetit ushtarak, duke theksuar: “Mendoj se ata (SDF) duhet ta kuptojnë se komanda dhe kontrolli duhet të vijnë nga një vend i vetëm. Nuk mund të ketë dy ushtri në asnjë shtet. Pra, mund të ketë vetëm një ushtri, një strukturë komanduese. Por në administratën lokale, ata mund të arrijnë një zgjidhje dhe mirëkuptime të ndryshme”.
Gati një vit pas rënies së presidentit Bashar al-Assad, Fidan tha se disa çështje mbi të drejtat e pakicave mbeten ende të pazgjidhura, duke theksuar se mbështetja e Türkiyes për udhëheqjen e re siriane nuk është një “çek i bardhë” për asnjë formë shtypjeje.
Ai theksoi se Damasku po ndërmerr hapa drejt kohezionit kombëtar, por argumentoi se “politikat destabilizuese” të Izraelit vazhdojnë të jenë pengesa kryesore.
Këtë vit, Izraeli ka kryer sulme të përsëritura në jugperëndim të Sirisë, duke pretenduar se ato synonin kërcënime militante dhe kishin për qëllim të mbronin popullsinë druze pranë kufirit. Të martën, kryeministri Benjamin Netanyahu tha se parashikon që Siria të krijojë një zonë të çmilitarizuar që shtrihet nga Damasku deri në vijën kufitare.
Sa i përket luftës Rusi-Ukrainë, Fidan tha se propozimi fillestar 28-pikësh i Washingtonit për t’i dhënë fund konfliktit duhet parë vetëm si “pikënisje”. Ai shtoi se iniciativa tani po merr formë në një format të ndryshëm dhe se përpjekjet e ndërmjetësimit të ShBA-së janë “në rrugën e duhur”.























