| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Eisenkot i quan “terrorizëm hebraik” sulmet e kolonëve në Bregun Perëndimor
Deklarata e Gadi Eisenkotit erdhi në përgjigje të sulmeve gjatë të cilave kolonët u vunë zjarrin pronave në disa fshatra palestineze në Bregun Perëndimor.
Eisenkot i quan “terrorizëm hebraik” sulmet e kolonëve në Bregun Perëndimor
Eisenkot i quan “terrorizëm hebraik” sulmet e kolonëve në Bregun Perëndimor/ AA / َAA
 

Gadi Eisenkot, i caktuar për të formuar qeverinë e ardhshme të Izraelit, i cilësoi si “terrorizëm hebraik” sulmet me zjarrvënie të kolonëve në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke kritikuar ministrat e kabinetit Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich për nxitjen e dhunës kundër palestinezëve.

Deklarata e tij erdhi përmes një postimi në platformën sociale amerikane X, në përgjigje të sulmeve gjatë të cilave kolonët u vunë zjarrin pronave në disa fshatra palestineze në Bregun Perëndimor.

Sulmet e kryera gjatë natës përbëjnë “terrorizëm hebraik në çdo kuptim të fjalës”, shkroi Eisenkot.

“Veprimet e udhëhequra nga (ministri i Sigurisë Kombëtare) Ben-Gvir dhe (ministri i Financave) Smotrich në Bregun Perëndimor e kanë çuar zonën në prag të anarkisë së pakontrolluar”, shtoi ai.

Eisenkot i bëri thirrje qeverisë izraelite dhe institucioneve të sigurisë që të “përdorin çdo mjet në dispozicion, përfshirë ndalimin administrativ dhe operacionet e shënjestruara nga Shërbimi i Sigurisë së Brendshme (Shin Bet), për të ndaluar personat që shkaktojnë trazira dhe për të vendosur ndaj tyre sanksione të ashpra”.

Rreth 750.000 kolonë jetojnë në 156 vendbanime të paligjshme dhe 360 ​​​​vendbanime të përkohshme në gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor të pushtuar.

Në tetor, ushtria izraelite dhe kolonët kryen 3.133 sulme, sipas të dhënave të Komisionit Palestinez për Rezistencën ndaj Kolonizimit dhe Murit.

Sipas të dhënave, 1.764 nga këto incidente i atribuohen ushtrisë, ndërsa 1.369 kolonëve.

Sulmet e fundit vijnë në një kohë të shtimit të sulmeve të ushtrisë izraelite dhe kolonëve kundër palestinezëve dhe pronave të tyre në gjithë Bregun Perëndimor, që nga fillimi i luftës gjenocidale të Izraelit në Gaza, në tetor të vitit 2023.