Futbollisti portugez, Cristiano Ronaldo, i cili luan për skuadrën saudite Al-Nassr, ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga futbolli pa arritur 1.000 gola në karrierën e tij.
"E dini cili është qëllimi im. Të fitoj trofe dhe të arrij atë shifër që e dini të gjithë, 1.000 gola. Nëse nuk pësoj lëndime, patjetër që do ta arrij këtë shifër", tha 40-vjeçari Ronaldo duke folur në një ceremoni çmimesh në Dubai.
Duke theksuar se motivimi i tij për të vazhduar me futbollin është i lartë, Ronaldo u shpreh: "Nuk ka rëndësi nëse luaj në Lindjen e Mesme apo në Evropë, gjithmonë kam dashur të luaj futboll dhe dua të vazhdoj".
Ronaldo u transferua te Al-Nassr në vitin 2022. Ai shënoi dy gola në fitoren 3-0 ndaj Al Akhdoud të shtunën, duke e çuar numrin total të golave në karrierë në 956.
Që nga mosha 30-vjeçare, Ronaldo ka shënuar 493 gola, duke barazuar gjithashtu rekordin e vendosur 64 vjet më parë nga ish-futbollisti anglez Ronnie Rooke, i cili kishte shënuar me fanellat e Arsenalit, Fulhamit dhe Crystal Palace.





















