| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Gjykata Kushtetuese rikthen në detyrë Belinda Ballukun
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës së Shqipërisë, Belinda Balluku, do të rikthehet në detyrë, pas vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese rikthen në detyrë Belinda Ballukun
Gjykata Kushtetuese rikthen në detyrë Belinda Ballukun / Belinda Balluku / X
12 Dhjetor 2025

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjisë e Shqipërisë, Belinda Balluku, do të rikthehet në detyrë pas vendimit të marrë këtë të premte nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.

Gjykata Kushtetuese vendosi, me shumicë votash, të rrëzojë masën e pezullimit nga detyra të vendosur më herët nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GjKKO), duke pranuar njëkohësisht ankimimin e paraqitur nga Kryeministri Edi Rama.

Seanca për shqyrtimin e ankimit do të jetë publike dhe do të zhvillohet më datë 22 janar 2026. 

Mbledhja e Gjyqtarëve e Gjykatës Kushtetuese mori në shqyrtim paraprak çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave”.

Gjykata Kushtetetuese vendosi me shumicë votash, pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, sipas nenit 45 të ligjit organik të Gjykatës. Vendimi i pezullimit do të dërgohet për botim në Fletoren Zyrtare”.

Trupa vendosi me shumicë votash, kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike për shkak të interesit të lartë publik që ka kjo çështje dhe thirrjen në cilësinë e subjekteve të interesuara të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Kuvendit të Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës.

Ndërkohë, masa e ndalimit të daljes jashtë shtetit ndaj Belinda Ballukut, e vendosur nga GjKKO-ja, mbetet në fuqi.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë