| Albanian
TÜRKİYE
3 minuta leximi
Kryediplomati turk bën thirrje për diplomaci proaktive mes bllokimit global
Duke folur në hapjen e Konferencës së 16-të të Ambasadorëve në Ankara, Fidan tha se mekanizmat ekzistues globalë janë paralizuar dhe nuk janë më të aftë t’i zgjidhin krizat.
Kryediplomati turk bën thirrje për diplomaci proaktive mes bllokimit global
Kryediplomati turk bën thirrje për diplomaci proaktive mes bllokimit global / AA
12 orë më parë

Türkiye duhet të marrë iniciativën për të ndërtuar paqe, stabilitet dhe prosperitet përmes mjeteve të veta diplomatike në një kohë kur sistemi ndërkombëtar është gjithnjë e më jofunksional, tha sot ministri i Jashtëm Hakan Fidan.

Duke folur në hapjen e Konferencës së 16-të të Ambasadorëve në kryeqytetin Ankara, Fidan tha se mekanizmat ekzistues globalë janë paralizuar dhe nuk janë më të aftë t’i zgjidhin krizat.

Ai theksoi se epoka e formësimit të politikave duke përdorur koncepte të prodhuara nga të tjerët dhe brenda kufijve të përcaktuar nga të tjerët ka mbaruar.

Roli i diplomacisë në mes të pasigurisë globale

"Në një mjedis ku sistemi ndërkombëtar është i bllokuar dhe mekanizmat e zgjidhjes janë të paralizuar, ne duhet të ndërtojmë vetë paqe, stabilitet dhe prosperitet përmes mjeteve tona diplomatike", tha Fidan.

Duke tërhequr vëmendjen ndaj peizazhit global gjithnjë e më të paparashikueshëm, Fidan tha se roli i diplomatëve është bërë më jetësor se kurrë, pasi ata kanë për detyrë ta dallojnë informacionin e kualifikuar nga dezinformata dhe të kuptojnë jo vetëm atë që thuhet, por edhe atë që nënkuptohet vërtet në kryeqytetet ndërkombëtare.

Ai potencoi politikën e jashtme proaktive dhe shumëdimensionale të Türkiyes, duke vënë në dukje se Ankaraja po forcon rolin e saj si një aktor rajonal dhe global i aftë për të formësuar rendin në vend që thjesht të reagojë ndaj krizave.

"Ne po ndërtojmë një Türkiye të respektuar dhe udhëheqëse që prodhon siguri dhe prosperitet në rajonin e saj të menjëhershëm, forcon rolin e saj në formësimin e rendit në nivel rajonal dhe global, rrit pjesën e saj të tregut dhe konkurrueshmërinë në tregtinë ndërkombëtare dhe është në gjendje ta ofrojë kontributin e saj origjinal politik dhe kulturor në sistemin ndërkombëtar", tha ai.

Diplomacia proaktive e Türkiyes në çështjet kryesore rajonale dhe globale

Fidan vuri në dukje përpjekjet diplomatike të Türkiyes për çështjet kryesore rajonale dhe globale, përfshirë Gazën, luftën Rusi-Ukrainë dhe Sirinë. Ai tha se Türkiye luajti rol udhëheqës në përpjekjet për të siguruar armëpushim në Gaza përmes qëndrimit të saj parimor dhe vazhdon të mbrojë një zgjidhje me dy shtete.

"Nëse zgjidhja me dy shtete tani po fiton pranim edhe në kryeqytetet perëndimore, kjo është kryesisht për shkak të qëndrimit të vazhdueshëm dhe parimor të diplomacisë sonë", shtoi ai.

Lidhur me luftën e vazhdueshme Rusi-Ukrainë, Fidan tha se Türkiye ka punuar vazhdimisht për paqe të drejtë përmes diplomacisë, duke vënë në dukje se Istanbuli mbetet platforma e vetme ku palët ende mund të takohen në një nivel teknik.

"Që nga dita e parë që filloi lufta, parimi ynë ka qenë i qartë: 'Nuk ka fitues në luftë dhe nuk ka humbës në një paqe të drejtë'. Me këtë bindje, ne kemi qenë vendi që ka bërë përpjekjet më intensive për t'i dhënë fund luftës në tryezën e negociatave", tha kryediplomati turk.

Lidhur me Sirinë, Fidan tha se "Türkiye qëndroi në anën e duhur të historisë duke i dhënë përparësi dinjitetit njerëzor pavarësisht kostove të rënda politike dhe ekonomike dhe se Ankaraja do të vazhdojë të mbështesë një Siri të qëndrueshme".

"Ne besojmë se një Siri e qëndrueshme e lirë nga ndërhyrjet e huaja do të jetë një vlerë e shtuar e madhe për rajonin tonë. Türkiye do të vazhdojë me vendosmëri të qëndrojë pranë popullit miqësor dhe vëllazëror sirian", shtoi ai.

Fidan nënvizoi nevojën për reforma në qeverisjen globale, veçanërisht në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ai tha se vendet e afta për të prodhuar zgjidhje origjinale dhe krijuese do të dallohen në adresimin e bllokimeve sistemike.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë