Një ushtar sirian është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur gjatë një operacioni për çminimin e zonës rurale perëndimore të provincës Deir ez-Zor, në lindje të Sirisë, njoftoi të dielën Ministria e Mbrojtjes.
Viktimat u regjistruan teksa ushtarët po “çmontonin minat dhe mbetjet e luftës në qytezën Al-Tarif”, raportoi Agjencia Arabe Siriane e Lajmeve (SANA), duke cituar Departamentin për Media dhe Komunikim të ministrisë.
Autoritetet siriane raportojnë rregullisht për të vrarë dhe të plagosur nga shpërthimet e mbetjeve të luftës, të lëna pas nga konflikti 14-vjeçar i zhvilluar nga regjimi i presidentit të rrëzuar Bashar al-Asad kundër popullit sirian, nga viti 2011 deri në vitin 2024.
Lufta shkaktoi vdekjen dhe plagosjen e qindra mijëra njerëzve dhe shkatërrime të mëdha të infrastrukturës, përpara se luftëtarët e opozitës të hynin në Damask më 8 dhjetor 2024, duke çuar në rrëzimin e regjimit të Asadit.
Autoritetet siriane dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, vazhdojnë operacionet në terren në disa pjesë të Sirisë për zbulimin e minave dhe municioneve të pashpërthyera të mbetura nga lufta.















