Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, të njohura së bashku si E3, mirëpritën të dielën aktivizimin e sanksioneve “snapback” ndaj Iranit në një deklaratë të përbashkët.
“Mirëpresim rivendosjen që nga ora 20:00 EDT (0000GMT) më 27 shtator 2025 të Rezolutave 1696 (2006), 1737 (2006), 1747 (2007), 1803 (2008), 1835 (2008) dhe 1929 (2010) pas përfundimit të procesit të sanksioneve ‘snapback’ siç parashikohet në Rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ne i kërkojmë Iranit dhe të gjitha shteteve t’u përmbahen plotësisht këtyre rezolutave”, thuhet në deklaratë.
Rezolutat që përmbanin një sërë sanksionesh dhe masash të tjera kufizuese që ishin vendosur më parë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbi aktivitetet e “përhapjes bërthamore” të Iranit, erdhën pasi E3-shi aktivizoi mekanizmin e rikthimit të sanksioneve (snapback) më 28 gusht.
“Këto masa u hoqën nga Këshilli në kontekstin e JCPoA-së (marrëveshjes bërthamore me Iranin), në një kohë kur Irani ishte zotuar të siguronte që programi i tij bërthamor të ishte ekskluzivisht paqësor. Duke pasur parasysh se Irani i shkelte vazhdimisht këto angazhime, E3-shi nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të aktivizonte procedurën e rikthimit, në fund të së cilës këto rezoluta u rikthyen në fuqi”, shpjegoi gjithashtu deklarata.
Ministrat e jashtëm të E3-shit, në deklaratë, kanë përsëritur “objektivin e tyre themelor” që Irani nuk do të synojë, blejë ose zhvillojë “kurrë” një armë bërthamore, duke nënvizuar se Irani nuk ndërmori veprimet e nevojshme për të adresuar shqetësimet e tyre.
“Vendet tona do të vazhdojnë të ndjekin rrugë diplomatike dhe negociata. Rivendosja e sanksioneve të OKB-së nuk është fundi i diplomacisë”, thuhet më tej në deklaratë.