| Albanian
BOTA
3 minuta leximi
Grupet britanike kërkojnë urdhërarrest për ministrin e jashtëm izraelit për krime lufte në Gaza
“Gideon Saar nuk mund të ecë lirshëm në Londër ndërkohë që civilët palestinezë ndodhen nën rrënoja”, tha kryetari i Fondacionit Hind Rajab.
00:00
Grupet britanike kërkojnë urdhërarrest për ministrin e jashtëm izraelit për krime lufte në Gaza
Grupet britanike kërkojnë urdhërarrest për ministrin e jashtëm izraelit për krime lufte në Gaza / AA
 

Grupet për të drejtat e njeriut kanë paraqitur një kërkesë urgjente për urdhërarrest për ministrin e jashtëm të Izraelit, Gideon Saar, gjatë vizitës së tij aktuale në Mbretërinë e Bashkuar, duke e akuzuar për rol të drejtpërdrejtë në krime lufte të kryera në Gaza.

Rrjeti Global për Veprim Ligjor (GLAN) dhe Fondacioni Hind Rajab dorëzuan të mërkurën kërkesën pranë prokurores së përgjithshme britanike dhe drejtorit të prokurorisë, duke kërkuar miratim të menjëhershëm për të aplikuar për një urdhër arresti në Gjykatën Magjistrale të Westminsterit.

Saar, një anëtar i lartë i Kabinetit të Sigurisë së Izraelit, shihet si përgjegjës për ndihmën dhe nxitjen e torturave, vrasjeve të qëllimshme dhe shkatërrimit të infrastrukturës civile.

Rasti fokusohet te rrethimi i Spitalit Kamal Adwan në fund të vitit të kaluar, kur forcat izraelite rrëmbyen dhe torturuan drejtorin e spitalit, Dr. Hussam Abu Safiya.

Saar mbërriti në MB të hënën dhe të nesërmen u takua me Sekretarin e Jashtëm britanik, David Lammy. Një ankesë është depozituar gjithashtu pranë Policisë Metropolitane të Londrës.

Kërkesa përfshin disa krime nën juridiksionin britanik, përfshirë sulmin ndaj Spitalit Kamal Adwan nga 8 tetor deri më 27 dhjetor 2024, torturimin e Abu Safiyas, shkatërrimin gjatë krijimit të “zonës tampon” në Gaza dhe sulmet ndaj infrastrukturës jetike për civilët.

Dëshmitë tregojnë se forcat izraelite rrethuan, sulmuan dhe dogjën spitalin, duke përdorur sulme me dron që vranë dhe plagosën pacientë dhe punonjës shëndetësorë.

Abu Safiya u burgos në kushte çnjerëzore në kampin e paraburgimit Sde Teiman dhe u torturua.

Drejtori i GLAN-it, Gearoid O Cuinn, tha: “Z. Gideon Saar është i lidhur drejtpërdrejt me vdekjen masive, shkatërrimin dhe vuajtjen në Palestinë ... Zyrtarët britanikë po dështojnë të zbatojnë ligjin, duke ofruar shtrëngime duarsh në vend të prangave.”

Dyab Abou Jahjah, kryetari i Fondacionit Hind Rajab, shtoi: “Gideon Saar nuk mund të ecë lirshëm në Londër ndërkohë që civilët palestinezë janë ende nën rrënoja... Asnjë titull zyrtar nuk e justifikon këtë mizori.”

Veprimi ligjor mbështetet nga kirurgu britaniko-palestinez, Dr. Ghassan Abu Sitta, dhe ekspertja e shëndetit publik, Dr. Azra Zyada, të cilët ndihmuan në mbledhjen e provave nga Gaza.

Zyada deklaroi: “Kjo është një mundësi për të treguar se sundimi i ligjit ka rëndësi ... Nuk mund t'i mbyllim sytë përballë padrejtësisë, sepse nëse e tolerojmë këtë, atëherë fëmijët tanë do të jenë të ardhshmit.”

Saar është gjithashtu subjekt i një padie në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për rolin e tij në zhvendosjen masive në Gaza dhe sulmet ndaj infrastrukturës

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë