| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Ohri mban konferencën e ministrave të Kulturës të Evropës Juglindore
Në takim morën pjesë ministra, zëvendësministra dhe delegacione nga Shqipëria, Türkiye, Bosnjë e Hercegovina, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Sllovenia, Moldavia, Bullgaria, Greqia, Rumania, si edhe ekspertë të shumtë të fushës.
Ohri mban konferencën e ministrave të Kulturës të Evropës Juglindore
Ohri mban konferencën e ministrave të Kulturës të Evropës Juglindore / AA
12 Dhjetor 2025

Në Ohër u mbajt konferenca dyditore e Këshillit të Ministrave të Kulturës të Evropës Juglindore (CoMoCoSEE) me temë "Forcimi i kulturës në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm", e organizuar nga Ministria e Kulturës dhe e Turizmit e Maqedonisë së Veriut, e cila kryeson me këtë mekanizëm rajonal.

Në takim morën pjesë ministra, zëvendësministra dhe delegacione nga Shqipëria, Türkiye, Bosnjë e Hercegovina, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Sllovenia, Moldavia, Bullgaria, Greqia, Rumania, si edhe ekspertë të shumtë të fushës.

Konferenca u fokusua në forcimin e bashkëpunimit kulturor rajonal, mbrojtjen e trashëgimisë dhe rolin e kulturës në zhvillimin e qëndrueshëm. Pjesëmarrësit miratuan me aklamacion "Deklaratën e Ohrit 2025", dokument që, sipas një njoftimi të Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë së Veriut, riafirmon angazhimin e përbashkët për rritjen e bashkëpunimit kulturor dhe mbrojtjen e trashëgimisë së përbashkët.

Ministri i Kulturës dhe i Turizmit i Maqedonisë së Veriut, Zoran Lutkov, në fjalën e tij hapëse vuri në dukje rëndësinë e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, digjitalizimit dhe angazhimit të komuniteteve lokale, duke e theksuar nevojën për mekanizma më efikasë dhe bashkëpunim të qëndrueshëm rajonal.

"Nisma e përbashkët për të krijuar një Fond Rajonal për Bashkëpunim Kulturor mund të jetë një hap i rëndësishëm institucional që ka potencialin të sigurojë stabilitet, parashikueshmëri dhe profesionalizim të aktiviteteve rajonale", theksoi ai.

Ndërkaq, Magdalena Landry, drejtoreshë e Zyrës Rajonale të UNESCO-s në Venecia, tha se rajoni i Evropës Juglindore përfaqëson një diversitet të jashtëzakonshëm kulturor dhe se UNESCO-ja mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj forcimit të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Nga viti 2026, Këshillin e Ministrave të Kulturës të Evropës Juglindore do ta kryesojë Republika e Moldavisë.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë