Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Llavrov, deklaroi të shtunën, në një fjalim në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, se Perëndimi po minon paqen dhe stabilitetin në Ballkan, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë, duke theksuar se Moska mbetet “konsekuente në mbrojtjen e sovranitetit të Serbisë.”
Llavrov nënvizoi se veprimet e Perëndimit në Ballkan, ku, sipas tij, po shkelen parime statutore siç është detyrimi i të gjitha shteteve anëtare të OKB-së për t'i respektuar vendimet e Këshillit të Sigurimit, përbëjnë “shembull të qartë të minimit të sovranitetit dhe të përzierjes flagrante në punët e brendshme.”
Ai tha se në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë po zhvillohen “sulme sistematike të drejtuara kundër popullit serb dhe të drejtave të tij themelore.”
Moska nuk ka ndërmend ta sulmojë NATO-n dhe BE-në
Ministri i Jashtëm rus, Sergej Llavrov, sqaroi se Moska nuk ka plane për ta sulmuar NATO-n apo BE-në, duke paralajmëruar se çdo “agresion” kundër vendit të tij do të “përballohet me vendosmëri.”
Llavrov tha se Rusia “shumë herë u ka propozuar kryeqyteteve të NATO-s t'i respektojnë detyrimet e tyre dhe të bien dakord për garanci të sigurisë me karakter juridik detyrues. Propozimet tona janë injoruar dhe vazhdojnë të injorohen.”
“Për më tepër, kërcënimet për përdorimin e forcës kundër Rusisë, e cila akuzohet se po planifikon sulm ndaj vendeve të NATO-s dhe BE-së, po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Presidenti Vlladimir Putin i ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur këto provokime. Rusia asnjëherë nuk ka pasur, dhe as nuk ka, qëllime të tilla,” tha Llavrov në fjalimin e tij në sesionin e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Llavrov foli gjithashtu për situatën rreth konfliktit izraelito-palestinez, duke thënë se bota në thelb “po përballet me një përpjekje për një grusht shteti të llojit të vet, që synon t'i anulojë vendimet e OKB-së për krijimin e shtetit palestinez.”
“Së fundmi, një numër qeverish perëndimore shpallën njohjen e Shtetit të Palestinës. Disa muaj më parë kishin shpallur synimin për ta bërë këtë. Pyetja shtrohet: pse pritën kaq gjatë? Është e qartë se shpresonin që së shpejti të mos mbetej më asgjë për të njohur,” tha ai.