| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Rusia dhe Ukraina diskutojnë rifillimin e shkëmbimeve të të burgosurve pas një pauze 4-mujore
Avokatja e Popullit e Rusisë thotë se Ministria e Mbrojtjes ka propozuar formate të ndryshme shkëmbimi, por pala ukrainase po vonon miratimin.
Rusia dhe Ukraina diskutojnë rifillimin e shkëmbimeve të të burgosurve pas një pauze 4-mujore
Rusia dhe Ukraina diskutojnë rifillimin e shkëmbimeve të të burgosurve pas një pauze 4-mujore / AP
20 Janar 2026

Avokatja e Popullit e Rusisë, Tatyana Moskalkova, deklaroi të hënën se ka diskutuar “çështjen e zhbllokimit urgjent të shkëmbimeve të të burgosurve të luftës” gjatë një takimi me Dmytro Lubinets, komisionerin për të drejtat e njeriut të parlamentit ukrainas.

Moskalkova shkroi në Telegram se prej më shumë se katër muajsh nuk ka pasur asnjë shkëmbim të të burgosurve.

“Gjatë takimit me Avokatin e Popullit të Verkhovna Radas së Ukrainës, Dmytro Lubinets, u ngrit çështja e zhbllokimit urgjent të shkëmbimeve të të burgosurve në parim, pasi prej më shumë se katër muajsh nuk ka pasur asnjë”, tha ajo.

Moskalkova nuk specifikoi se ku dhe kur u zhvillua takimi. Megjithatë, si Moskalkova ashtu edhe Lubinets deklaruan të premten në kanalet e tyre në Telegram se ndodheshin në Gjenevë, ku presidentja e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Mirjana Spoljaric, zhvilloi bisedime të ndara me të dy zyrtarët në selinë e organizatës.

Moskalkova pohoi se Ministria ruse e Mbrojtjes “ka propozuar vazhdimisht formate të ndryshme për procesin e shkëmbimit, por pala ukrainase po vonon miratimin e vendimeve përkatëse”.

“Nënat dhe bashkëshortet po presin me ankth të dashurit e tyre. Kthimi i tyre i shpejtë në shtëpi do të ishte një akt humaniteti dhe dhembshurie”, tha ajo.

Komisarja për të drejtat e njeriut shtoi se i ka dorëzuar homologut të saj ukrainas një listë me ushtarakë ukrainas të mbajtur në Rusi, të cilët mund të lirohen së shpejti si pjesë e një shkëmbimi.

“Po presim propozime nga pala ukrainase,” tha Moskalkova, duke shtuar se ka ngritur gjithashtu nevojën për riatdhesimin e të burgosurve rusë të luftës të plagosur, në përputhje me Konventën e Gjenevës.

Shkëmbimi i fundit i të burgosurve, kur 185 persona u kthyen nga secila palë, u zhvillua në tetor.

Marrëveshjet për shkëmbimet e të burgosurve u arritën gjatë bisedimeve ruso-ukrainase në lstanbul. Palët zhvilluan tre raunde negociatash, të cilat rezultuan në marrëveshje për një shkëmbim “1.000 me 1.000”, plane për një tjetër shkëmbim në shkallë të gjerë, dorëzimin e ndërsjellë të trupave të ushtarëve të rënë dhe një marrëveshje për kthimin e të paktën 1.200 të burgosurve nga secila palë.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë