| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Presidenti i Bullgarisë Radev njofton se do të japë dorëheqje
Radev tha se nesër do ta dorëzojë dorëheqjen e tij te Gjykata Kushtetuese dhe do t'ia transferojë detyrën Zëvendëspresidentes Iliana Iotova.
Presidenti i Bullgarisë Radev njofton se do të japë dorëheqje
Presidenti i Bullgarisë Radev njofton se do të japë dorëheqje / Reuters
19 Janar 2026

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, njoftoi se ka vendosur të japë dorëheqje nga detyra.

Gjatë një deklarate në Presidencë, Radev tha se dorëheqjen do ta dorëzojë nesër te Gjykata Kushtetuese dhe se detyrën do t'ia transferojë Zëvendëspresidentes Iliyana Iotova.

Duke iu drejtuar publikut, Radev bëri një përmbledhje të punës së tij 9-vjeçare, duke kujtuar se gjatë kësaj periudhe është detyruar të formojë 7 qeveri kalimtare.

Ai gjithashtu vuri në dukje se gjatë këtij mandati, Bullgaria përfundoi integrimin evropian (duke u bashkuar me zonën Schengen dhe duke kaluar në euro), por këto dy suksese, sipas tij, fatkeqësisht nuk sollën paqe dhe stabilitet në vend.

Duke komentuar ndryshimet e fundit kushtetuese, Radev tha se oligarkia ka marrë kontroll mbi organet ekzekutive dhe se protestat popullore në vjeshtë rrëzuan qeverinë duke krijuar një konsensus kundër mafias.

Ai foli gjithashtu për zhgënjimin politik të qytetarëve bullgarë: "Kemi nevojë për një kontratë të re shoqërore. Të rinjtë tanë që dolën në rrugë gjatë protestave të vjeshtës shprehën qartë se nuk duan të largohen nga Bullgaria".

Radev siguroi se do t'ia dorëzojë Presidencën me siguri Zëvendëspresidentes Iotova, duke shtuar: "Iotova do të jetë një presidente me dinjitet deri në zgjedhjet e ardhshme presidenciale",

Procedura kushtetuese

Dorëheqja e presidentit Radev nuk ka efekt ligjor deri sa të pranohet nga Gjykata Kushtetuese. Prandaj, dorëheqja hyn në fuqi vetëm pas vendimit zyrtar të Gjykatës.

Pas largimit të Radev, sipas procedurës kushtetuese, Zëvendëspresidentja Iliana Iotova do të ushtrojë detyrën e Presidentes deri më 22 janar 2027.

Vendimi i Radev konsiderohet një "ngjarje historike" në Bullgari, pasi asnjë president më parë nuk ka dhënë dorëheqje para përfundimit të mandatit të tij.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë