Të dielën do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme lokale në 5 bashki të Shqipërisë. Policia e Shtetit njoftoi sot se ka hartuar një plan të detajuar masash për zbatim nga strukturat vendore ku do të zhvillohen zgjedhje të pjesshme.
Sipas njoftimit, sot se në 5 bashkitë ku do të zhvillohen zgjedhjet, Vlorë, Berat, Mat, Cërrik, Tepelenë ka marrë në ruajtje 9 objekte zgjedhore ku janë vendosur komisionet e KZAZ-ve dhe ditën e shtunë do të marrë në ruajtje 473 objekte që do të shërbejnë si qendra votimi.
Referuar policisë, listës me 612 punonjës policie dhe automjete policie, që do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore dhe shoqërimin e materialeve, është dërguar në KQZ dhe është miratuar.
Shërbimet e Policisë që janë të planëzuara për ruajtjen e objekteve që do të shërbejnë si qendra votimi, do të instruktohen ditën e shtunë paradite dhe më pas do të shpërndahen në qendrat ku janë të planëzuara me shërbim.
Ditën e diel, që është dita finale, me dorëzimin në mëngjes të objekteve që shërbejnë si qendra votimi, punonjësit e Policisë do të tërhiqen në vendgrumbullimet e përcaktuara dhe do të rikthehen për ta bërë shoqërimin e materialeve zgjedhore në drejtim të KZAZ-ve, në orën 19:00.
Gjatë ditës së votimit, në rast se nga komisionet e qendrave të votimit, koordinatorët, KZAZ-të apo KQZ-ja do të ketë kërkesa për ndërhyrjen e Policisë, në zbatim të Kodit Zgjedhor, Policia ka lënë pikat e kontaktit me komisionet dhe do të veprojë në kohë, konform përcaktimeve ligjore.
Më datë 9 nëntor, në orën 18:00, shërbimet e Policisë do të marrin në ruajtje të gjitha objektet e VNV-ve ku do të bëhet numërimi i votave dhe shërbimi do të vijojë deri në përfundim të të gjithë procesit.
Sipas policisë janë marrë të gjitha masat që në çdo komisariat dhe drejtori, në territorin e të cilave do të ketë zgjedhje, të ketë grupe të gatshme për të vepruar në terren, në rast nevoje.
Gjithashtu, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është ngritur grupi i koordinimit dhe drejtimit për procesin zgjedhor.























