Kina ka dënuar me vdekje një zyrtar qeveritar për spiunazh dhe zbulimin e mbi 100 sekreteve shtetërore, në një rast që Pekini e ka bërë publik në mënyrë të pazakontë.
Zyrtari, departamenti qeveritar i të cilit nuk është bërë i ditur, ishte “joshur dhe shantazhuar për t’i dorëzuar dhjetëra sekrete shtetërore një agjencie të huaj të inteligjencës”, raportoi gazeta "South China Morning Post", duke cituar Baomiguan, llogarinë zyrtare në platformën WeChat të shtëpisë botuese "Jincheng Press", e cila është pjesë e Administratës Kombëtare të Kinës për Mbrojtjen e Sekreteve Shtetërore.
Zyrtari i identifikuar vetëm me mbiemrin "Ma", u shpall fajtor për spiunazh, por mbetet e paqartë nëse dënimi me vdekje është ekzekutuar. Sipas Baomiguan, atij iu hoqën përgjithmonë të drejtat politike dhe iu konfiskua e gjithë pasuria personale.
Njoftimi nuk specifikoi se kur dhe ku u zhvillua gjyqi dhe as cila gjykatë e dha vendimin. Vendet e huaja të përfshira u identifikuan vetëm si "Shteti A" dhe "Shteti B".
“Publikimi i vendimeve me vdekje në rastet e spiunazhit është relativisht i rrallë në Kinë, ku procedurat gjyqësore që lidhen me sigurinë kombëtare zakonisht zhvillohen me dyer të mbyllura”, shkroi gazeta. Ky njoftim vjen në një kohë kur Agjencia Qendrore e Inteligjencës e ShBA-së (CIA) ka zhvilluar gjatë muajve të fundit fushata në rrjetet sociale për të rekrutuar spiunë të mundshëm nga ushtria kineze.
Në këto fushata janë paraqitur edhe zyrtarë kinezë që ndryshojnë besnikëri dhe zbulojnë sekrete për ShBA-në, duke shkaktuar reagime të zemëruara nga Pekini.
Në vitin 2024 një ish-punonjës i një agjencie shtetërore kineze u dënua me vdekje për zbulimin e sekreteve shtetërore. Burri i identifikuar vetëm me mbiemrin Zhang, kishte punuar në një agjenci qeveritare të paidentifikuar dhe u shpall fajtor për dorëzimin e një pajisjeje USB-je agjencive të huaja të inteligjencës, pasi ishte larguar nga puna në administratën shtetërore.















