Ministria e Mbrojtjes së Kroacisë sot ka dërguar thirrjet e para për kontrolle shëndetësore të detyrueshme për të rinjtë e lindur në vitin 2007, që kanë shtetësi kroate dhe banim në Kroaci, duke nisur kështu procesin e përgatitjes themelore për shërbimin ushtarak.
Kontrollet shëndetësore do të kryhen në Institutin e Mjekësisë së Aviacionit në Zagreb, Institutin e Mjekësisë Detare në Split dhe në institucionet e mjekësisë së punës në Osijek, Pozhega, Slavonski Brod, Dubrovnik, Pazin, Rijekë, Gospiç dhe Viroviticë. Shpenzimet e transportit i mbulon Ministria e Mbrojtjes.
Kontrolli shëndetësor përfshin testime psikologjike, kontroll të përgjithshëm mjekësor, përcaktimin e indeksit të masës trupore, analiza laboratorike të gjakut dhe urinës, EKG, testime të shikimit dhe dëgjimit, dhe, sipas nevojës, kontrolle të tjera specialistike. Rekrutët duhet ta sjellin gjithë dokumentacionin mjekësor relevant.
Rekrutët që vlerësohen të aftë për shërbim ushtarak do të marrin thirrje për shërbimin e përgatitjes themelore gjatë shkurtit 2026, ndërsa fillimi i trajnimit pritet në fillim të marsit në kazermat në Knin, Slunj dhe Požega. Në gjeneratën e parë, është planifikuar të shërbejnë deri në 800 rekrutë në këto tri lokacione.
Qytetarët që kërkojnë të kryejnë shërbim civil për arsye të ndërgjegjes, sipas Ligjit për Mbrojtjen, do të kenë mundësinë ta kryejnë shërbimin civil.
Së fundmi, Parlamenti i Kroacisë ka miratuar ndryshime në Ligjin për Mbrojtjen, me të cilat ripërcaktohet detyrimi për trajnim themelor ushtarak.
Sipas rregullave të reja, programi i trajnimit do të zgjasë dy muaj, dhe thirrjet e para do t’u dërgohen të rinjve deri në fund të këtij viti. Grupet e para të rekrutëve pritet të fillojnë në fillim të vitit të ardhshëm në qendrat ushtarake në Knin, Slunj dhe Požega.
Në regjistrin ushtarak do të regjistrohen të gjithë të 18-vjeçarët, ndërsa trajnimi do t’u bëhet në vitin kur mbushin 19 vjeç. Mundësia për shtyrje parashikohet për studentët dhe sportistët, ndërsa personat që refuzojnë shërbimin ushtarak për arsye fetare ose morale do të mund të kryejnë shërbim civil për katër muaj, brenda sistemit të mbrojtjes civile dhe komuniteteve lokale.
Sipas zyrtarëve kroatë, ky vendim ka për qëllim forcimin e gatishmërisë mbrojtëse dhe ndërgjegjësimin e të rinjve për rëndësinë e shërbimit ndaj atdheut, por nuk nënkupton mobilizim të detyrueshëm në kohë paqeje.




















