Nga numërimi i më shumë se 80 për qind të kutive të votimit në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, po kryeson Lëvizja Vetëvendosje, transmeton Anadolu.
Në rezultatet e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), i cili filloi me numërimin e votave menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit, nga numërimi i më shumë se 80 për qind të kutive të votimit Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 50,06 për qind apo 354.372 vota.
Pas Lëvizjes Vetëvendosje, në vendin e dytë është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20 për qind për qind apo 146.256 vota.
Në vendin e tretë është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila deri më tani ka siguruar 14,16 për qind apo 99.965 vota, ndërsa ajo pasohet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila ka marrë 6,09 për qind apo 43.098 vota.
Partitë e tjera të cilat deri në fund të numërimit zyrtar të votave nuk arrijnë 5 për qind të votave, nuk do të mund ta kalojnë pragun dhe të futen në Kuvendin e Kosovës.
Nëse Lëvizja Vetëvendosje arrin ta mbajë rezultatin me 50 për qind apo më shumë të votave, ajo mund ta bëjë qeverinë e vetme.
Gjithashtu, pas mbylljes së numërimit të rezultateve preliminare, duhet të pritet edhe numërimi i mijëra votave nga diaspora, nga ku janë regjistruar rreth 70 mijë qytetarë për të votuar.




















