Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi mbrëmë para ndërtesës së parlamentit në Beograd se vitin e ardhshëm do të shpallen zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Presidenti i Serbisë e tha këtë pasi studentët sot, në mbarë Serbinë, organizuan mbledhjen e nënshkrimeve për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Ai deklaroi se është pranuar kërkesa kryesore e studentëve që protestuan dhe se vitin e ardhshëm do të shpallen zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“E kemi pranuar kërkesën e tyre kryesore. Së shpejti, vitin e ardhshëm, do të shkojmë në zgjedhje. Vetëm se nuk do të jenë aq të lumtur kur t’i numërojnë votat. Do të shkojmë t’i mposhtim në çdo vend në Serbi”, tha Vuçiq duke iu drejtuar qytetarëve të mbledhur para Asamblesë Kombëtare.
Presidenti i Serbisë mbërriti rreth orës 19:30 në sheshin para parlamentit, ku, siç kishte paralajmëruar më herët, sonte do të nisë heqja e çadrave në të cilat që nga marsi qëndronin qytetarët që kundërshtuan bllokimin e fakulteteve, rrugëve dhe institucioneve.
Vuçiq njoftoi se sonte do të nisë heqja e çadrave dhe gardheve para Asamblesë Kombëtare dhe se në atë lokacion do të vendoset “Fshati i Krishtlindjes”. Ai tha se Sheshi “Nikolla Pashiq” do të hapet për qarkullim më 2 ose 3 janar.





















