Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe kryeministri Edi Rama, kanë publikuar mesazhe urimi për kandidatin për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, pasi LVV doli e para në zgjedhjet e jashtëzakonshme që u mbajtën të dielën në Kosovë, sipas të dhënave paraprake.
Begaj ka publikuar mesazhin e tij në platformën e X, duke theksuar se uron që kjo votë të shndërrohet në përgjegjësi institucionale.
"Urime Kosovë! Urime Albin Kurti! Qytetarët e Kosovës shprehën vullnetin e tyre demokratik për institucione të reja që do të qeverisin vendin. Uroj dhe besoj që kjo votë të shndërrohet në përgjegjësi institucionale, për t'i dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj një të ardhme të begatë, të drejtë dhe evropiane", ka shkruar Begaj.
Edhe kryeministri Rama ka publikuar një mesazh urimi në X, duke theksuar se uron që mandati të kthehet në sukses për Kosovën.
"E kam uruar kryeministrin e rizgjedhur të Kosovës, për fitoren domethënëse dhe uroj që mandati i konfirmuar nga populli i Kosovës për Albinin e për partinë e tij, të kthehet në sukses e në mbarësi për Kosovën si edhe për marrëdhënien vëllazërore mes dy shteteve tona. Gëzuar", ka shkruar Rama.
LVV-ja doli partia më e madhe nga rezultatet paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ). Nga numërimi i mbi 99 për qind të kutive të votimit në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë që u mbajtën më 28 dhjetor, partia e udhëhequr nga Kurti ka marrë 49,31 për qind të votave.
Kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut uron Kurtin për fitoren në zgjedhje
"Mbetemi të përkushtuar për forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera fqinjësore e vëllazërore si dhe për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy vendeve tona, në interes të stabilitetit, zhvillimit dhe integrimit europian të rajonit", tha Afrim Gashi.
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi ka publikuar një mesazh urimi për mbajtjen e suksesshme të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.
"Uroj veçanërisht kryeministrin Albin Kurti për fitoren dinjitoze. Ky rezultat zgjedhor konfirmon besimin dhe mbështetjen qytetare për vizionin dhe përkushtimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Përgëzoj gjithashtu të gjitha subjektet politike për pjesëmarrjen konstruktive si dhe qytetarët e Kosovës për kulturën dhe pjekurinë demokratike që kanë treguar", ka shkruar ai në rrjetet sociale.
"Mbetemi të përkushtuar për forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera fqinjësore e vëllazërore si dhe për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy vendeve tona, në interes të stabilitetit, zhvillimit dhe integrimit evropian të rajonit", ka shtuar Gashi.
Lëvizja Vetëvendosje doli partia më e madhe nga rezultatet paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ). Nga numërimi i mbi 99 për qind të kutive të votimit në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë që u mbajtën më 28 dhjetor, partia e udhëhequr nga Kurti ka marrë 49,31 për qind të votave.





















