Qeveria e Shqipërisë pritet të miratojë një amnisti penale, si një akt ligjor të bazuar te humanizmi, drejtësia sociale dhe standardet evropiane të drejtësisë.
Nismën e ka komunikuar dje ministri i Drejtësisë i Shqipërisë, Besfort Lamallari, përmes një videomesazhi, ku zbulon edhe detaje nga kategoritë dhe numrin e përfituesve nga kjo amnisti.
“Nga zbatimi i kësaj amnistie në vlerësimet paraprake të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rreth 380 persona do të përfitojnë lirim të menjëhershëm; dhe rreth 900 të tjerë përfitojnë ulje dënimi, ndërsa numri real i përfituesve është edhe më i lartë, duke përfshirë ata që përfitojnë nga pushimi i ndjekjes penale si dhe masat alternative”, tha Lamallari.
Sipas tij në këto kategori përfituesish përfshihen të mitur, gra dhe persona të dënuar për vepra me rrezikshmëri të ulët shoqërore.
Lamallari theksoi se nga kjo amnisti nuk përfitojnë personat e dënuar për krime të rënda, raste korrupsioni apo vepra me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
“Sigurisht që nga kjo amnisti nuk mund të përfitojnë ata që kanë kryer krime të rënda, korrupsion apo vepra me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Kurrsesi jo subjekte që janë hetuar nga SPAK-u dhe gjykuar nga GjKKO-ja. Nuk ka amnisti selektive dhe as favorizime, por kritere ligjore të qarta dhe transparente. Kush e sheh amnistinë si dobësi, ngatërron ndëshkimin me drejtësinë”, u shpreh Lamallari, duke theksuar se kjo amnisti nuk është falje e shkeljes së ligjit, por një shans i dytë, i dhënë me përgjegjësi, për ata që mund dhe duhet të rikthehen në shoqëri dhe pranë familjeve të tyre.
Sipas ministrit të Drejtësisë, amnistia që do të miratohet në Këshillin e Ministrave nuk është një vendim i rastësishëm. Lamallari tha se “ajo vjen pas një analize të detajuar të situatës në sistemin e drejtësisë penale, në bashkëpunim me organet përgjegjëse, dhe adreson një shqetësim madhor; përdorimin e lartë të masës së paraburgimit dhe nevojën për një qasje më proporcionale dhe më humane”.




















