| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Kremlini: Rusia pajtohet me vlerësimin e Trumpit se paqja në Ukrainë është “shumë më afër”
Zëdhënësi i Kremlinit thotë se Moska do të mund ta vlerësojë plotësisht bisedën Trump-Zelenskyy pasi të marrë informacion nga ShBA-ja.
Kremlini: Rusia pajtohet me vlerësimin e Trumpit se paqja në Ukrainë është “shumë më afër”
Kremlini: Rusia pajtohet me vlerësimin e Trumpit se paqja në Ukrainë është “shumë më afër” / Reuters
6 orë më parë

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të hënën se Moska pajtohet me vlerësimin e presidentit amerikan Donald Trump se paqja në Ukrainë është bërë shumë më afër dhe ka arritur në fazat përfundimtare.

Duke u pyetur në një konferencë për shtyp në Moskë nëse Rusia pajtohet me Trumpin se Moska dhe Kievi janë më afër një marrëveshjeje paqeje dhe bisedimet janë në fazat përfundimtare, Peskov tha: “Sigurisht.”

Megjithatë, Peskov nuk specifikoi se cili version i planit të paqes po miratohet aktualisht.

“Për momentin, nuk e konsiderojmë të nevojshme të japim detaje,” shtoi ai.

Trump tha të dielën se janë arritur përparime të rëndësishme drejt përfundimit të luftës Rusi-Ukrainë pas takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Para takimit, presidenti amerikan telefonoi homologun e tij rus, Vlladimir Putin, dhe ata ranë dakord të flasin përsëri së shpejti.

Zëdhënësi i Kremlinit tha se Moska do të mund ta vlerësojë plotësisht bisedën Trump-Zelenskyy pasi të marrë informacion nga ShBA-ja.

Sipas tij, Putin dhe Trump nuk diskutuan për çështjen e armëpushimit të Krishtlindjeve në Ukrainë, dhe çështja territoriale mbetet më e vështira; vendimi i Kievit për Donbasin është i nevojshëm për të ndaluar luftimet.

Peskov refuzoi të përgjigjej në pyetjen nëse Rusia ende kërkon që Ukraina t’i tërheqë trupat e saj nga rajonet Kherson dhe Zaporizhzhia.

Ai gjithashtu tha se pritet që Putin dhe Trump të flasin me telefon në të ardhmen e afërt, ndërsa nuk ka kontakte të planifikuara midis Putinit dhe Zelenskyyt.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë