| Albanian
RAJONI
4 minuta leximi
27 vjet nga ndërhyrja e NATO-s në Kosovë
Më 24 mars 1999 Aleanca Veri-atlantike NATO nisi fushatën ajrore kundër ish-Jugosllavisë, me synim ndalimin e dhunës së forcave serbe ndaj popullatës shqiptare në Kosovë.
27 vjet nga ndërhyrja e NATO-s në Kosovë
27 vjet nga ndërhyrja e NATO-s në Kosovë / NATO
12 orë më parë

Janë bërë 27 vjet që kur Aleanca Veri-atlantike NATO nisi fushatën ajrore kundër ish-Jugosllavisë, me synim ndalimin e forcave serbe ndaj popullatës shqiptare në Kosovë.

Fillimisht më 18 mars 1999 përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës dhe diplomatët perëndimorë nënshkruan Marrëveshjen e Rambouillet, por, Sllobodan Millosheviqi e refuzoi marrëveshjen e propozuar nga bashkësia ndërkombëtare në Rambouillet, pavarësisht paralajmërimeve për bombardime për ta ndalur fushatën sistematike kundër popullatës civile në Kosovë.

Pas dështimit të përpjekjeve diplomatike, presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, autorizoi operacionin e njohur si "Allied Force", ndërsa po atë natë, Clintoni deklaroi se ndërhyrja kishte për qëllim ndaljen e dhunës dhe dobësimin e kapaciteteve ushtarake të Jugosllavisë.

Gjatë 78 ditëve të operacionit, forcat ajrore të 19 vendeve anëtare të NATO-s realizuan mbi 38 mijë fluturime, prej të cilave më shumë se 10 mijë ishin misione bombarduese. Shtetet e Bashkuara luajtën rolin kryesor, duke kryer mbi 60 për qind të fluturimeve dhe mbi 80 për qind të goditjeve.

Sipas të dhënave të Departamenti Amerikan i Shtetit, gjatë luftës në Kosovë u vranë rreth 10 mijë shqiptarë dhe qindra mijëra u dëbuan nga shtëpitë e tyre, duke krijuar krizë humanitare në rajon, veçanërisht në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.

Më 1 qershor 1999, Beogradi pranoi parimet e grupit G8, ndërsa më 10 qershor NATO-ja pezulloi sulmet pas nisjes së tërheqjes së forcave jugosllave nga Kosova. Po atë ditë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1244, duke vendosur bazën për administrimin ndërkombëtar të Kosovës dhe praninë e forcave paqeruajtëse.

Një ditë më parë, më 9 qershor, ishte nënshkruar Marrëveshja Tekniko-Ushtarake ndërmjet KFOR-it dhe autoriteteve të ish-Jugosllavisë, e cila përcaktoi kushtet e vendosjes së trupave ndërkombëtare në Kosovë.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale tha se bombardimet e NATO-s mbi objektivat serbe ndryshuan rrjedhën e historisë së Kosovës.

Sipas Haxhiut, ndërhyrja e NATO-s nga ajri dhe qëndresa e UÇK-së në terren u ndërthurën në një çast përcaktues për Kosovën.

"Nderojmë me mirënjohje rolin vendimtar të NATO-s, sakrificën e UÇK-së dhe të gjithë atyre që kontribuan për lirinë e Kosovës. Jemi përherë falënderues për mbështetjen e miqve dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë që nuk na lanë vetëm në momentet më të vështira", shkroi Haxhiu.

Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea, në një intervistë për televizionin publik të Kosovës, tha se kishte qenë i bindur se përdorimi i forcës ishte i domosdoshëm për të shpëtuar jetët e kosovarëve dhe se drejtësia ishte në anën e tyre.

Sipas ish-zyrtarit të NATO-s, vendimi nuk qe i vështirë, sepse qëndrimi kokëfortë i Millosheviqit dhe veprimet serbe, si masakra në Reçak, i bindën të gjithë aleatët se NATO duhej të ndërhynte për të parandaluar një katastrofë humanitare në Kosovë.

Shea vlerësoi se edhe pse njëzet e shtatë vjet më vonë Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë, kjo është për të ardhur keq.

Ai tha se është përgjegjësi morale e qeverisë së Serbisë të pranojë krimet e kryera në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë dhe të emërojë një komision të pavarur të historianëve ndërkombëtarë dhe serbë për të hetuar dhe për të nxjerrë në dritë të gjitha faktet.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, në një reagim në X, tha se operacioni i NATO-s “Allied Force”, ishte për të ndalur fushatën brutale të dhunës dhe spastrimit etnik të Slobodan Milosheviqit kundër shqiptarëve në Kosovë.

Ai tha se ky ishte një moment përcaktues ku dinjiteti njerëzor triumfoi mbi frikën dhe Shqipëria hapi zemrën dhe dyert për shqiptarët e Kosovës.

"Në atë moment vendimtar të historisë sonë, Shqipëria hapi zemrën dhe dyert pa asnjë hezitim. Pavarësisht sfidave të veta ekonomike, ajo priti refugjatë dhe persona të zhvendosur në shtëpi, shkolla dhe komunitete. Institucionet dhe qytetarët, kudo, u mobilizuan së bashku me partnerët ndërkombëtarë për të ofruar strehim, ushqim dhe mbrojtje, një akt i jashtëzakonshëm solidariteti, që pasqyronte jo vetëm një reagim humanitar, por edhe një ndjenjë të thellë historie të përbashkët dhe identiteti të përbashkët", tha Hoxha.

24 marsi i vitit 1999 shënoi një momentum të ri për Kosovën dhe përpjekjen e saj për liri dhe shtet të pavarur.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë