Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ka bërë të ditur se gjatë ditës së dytë të vizitës së tij në Bruksel ka zhvilluar një takim me drejtoreshën e përgjithshme për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Komisionin Evropian, Elisabeth Werner.
Në një postim në rrjetin social amerikan X, Mucunski njoftoi se në takim u diskutuan reformat e vazhdueshme, bashkëpunimi dhe zbatimi i programit IPARD III, si dhe nevoja për avancimin e sektorit bujqësor në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian (BE).
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e forcimit të kapaciteteve institucionale dhe administrative, duke e cilësuar këtë si një hap kyç drejt përafrimit me standardet evropiane.
Po ashtu, sipas tij, në fokus të bisedimeve ishte edhe promovimi i bujqësisë së qëndrueshme dhe zhvillimit rural, si pjesë e rrugës së vendit drejt integrimit në BE.
Në takimin e Mucunskin me Werner i pranishëm ishte edhe ministri i Bujqësisë, i Pylltarisë dhe i Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski.























