Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dhe Ministria e Bujqësisë, e Pylltarisë dhe e Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me Autoriteti Evropian për Sigurinë Ushqimore (EFSA), organizuan konferencë për sigurinë ushqimore në Kosovë, ku u diskutua për përparimin, sfidat dhe reformat në këtë sektor.
Në konferencë mori pjesë ministri i Bujqësisë, Armend Muja, i cili theksoi rëndësinë e bujqësisë si një nga sektorët kryesorë të ekonomisë dhe burim i të ardhurave për një numër të madh fermerësh në vend.
Sipas tij, siguria ushqimore është një element thelbësor për shëndetin publik, zhvillimin ekonomik dhe procesin e integrimit evropian.
"Në bazë të të dhënave të fundit, vlera e shtuar bruto e sektorit të bujqësisë në vitin 2025 ka arritur mbi 810 milionë euro. Kjo tregon një zhvillim të rëndësishëm në Kosovë, një mundësi për fermerët por mbi të gjitha edhe nevojën që të sigurohen standardet më të larta të sigurisë ushqimore", tha Muja.
Ministri njoftoi se institucionet do të hartojnë një udhëzim të ri që synon përafrimin e plotë me standardet e Bashkimit Evropian (BE) si dhe reforma në sistemin e inspektimit, duke kaluar nga kontrollet formale në një qasje të bazuar në rrezik.
Ai shtoi se brenda vitit 2027 pritet të funksionalizohet një sistem i plotë digjital i gjurmueshmërisë ndërsa në fokus do të jetë edhe fuqizimi i qasjes "One Health", e cila ndërlidh shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe mjedisit.
Drejtori i AUV-it, Bekim Hoxha, tha se një nga sfidat kryesore mbetet numri i pamjaftueshëm i inspektorëve, duke bërë të ditur se aktualisht janë vetëm 83 inspektorë në nivel vendi, dukshëm më pak krahasuar me vendet e rajonit.
Ai nënvizoi se pavarësisht përpjekjeve për të kompensuar këtë mungesë përmes teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, prania fizike e inspektorëve në terren mbetet e domosdoshme për verifikimin dhe kontrollin e standardeve.
"Është një numër i inspektimeve dhe monitorimeve shumë i madh përkundër kapaciteteve të vogla që kemi në raport me vendet tjera të rajonit. Numri i inspektorëve sa për informimin tuaj është vetëm 83 inspektorë në kuadër të AUV-it", tha Hoxha.
Përfaqësuesi i Autoriteti Evropian për Sigurinë Ushqimore, Patrick McMullan vlerësoi përkushtimin e Kosovës në përafrimin e standardeve me ato të BE-së dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në garantimin e sigurisë ushqimore.
Ai shtoi se siguria ushqimore kërkon koordinim ndërkufitar dhe një qasje të integruar, duke theksuar rëndësinë e modelit "One Health" për ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe të sigurt ushqimor.























