Avioni i Turkish Airlines (THY) që transportonte 15 qytetarë turq, pjesëmarrës në Flotiljen Globale “Sumud”, e cila u sulmua dhe u ndalua nga Izraeli në ujërat ndërkombëtare, ka mbërritur në Aeroportin e Istanbulit.
Avioni i THY-së u nis nga Aeroporti Ndërkombëtar “Mbretëresha Aliya” në kryeqytetin e Jordanisë, Aman, në orën 16:35 dhe arriti në Istanbul në orën 18:50. Aktivistët u pritën në sallonin VIP të aeroportit nga familjarët, disa zyrtarë dhe një numër i madh qytetarësh.
Nga Flotilja Globale “Sumud”, që u sulmua nga Izraeli dhe u ndalua në mënyrë të paligjshme, 131 aktivistë u transferuan këtë mëngjes nga Bregu Perëndimor i pushtuar drejt Jordanisë.
Mes tyre ndodheshin edhe 15 shtetas turq.
Flotilja Globale “Sumud”
Flotilja Globale “Sumud” ishte nisur për të thyer bllokadën izraelite dhe për të dërguar ndihma humanitare në Gaza.
Më 1 tetor në mbrëmje, anija ishte afruar ujërave të Gazës kur ushtria izraelite e sulmoi, duke konfiskuar në mënyrë të paligjshme 42 anije që i përkisnin flotiljes dhe duke arrestuar qindra aktivistë ndërkombëtarë.
Të ndaluarit u dërguan në burgun Ketziot në jug të Izraelit.
Flotilja “Sumud” njihet si misioni më i madh i organizuar ndonjëherë për të dërguar ndihma humanitare në Gaza.