| Albanian
POLITIKË
3 minuta leximi
Trump fton Australinë, Vietnamin dhe Tajlandën t’i bashkohen Bordit të Paqes për Gazën
ShBA-ja javën e kaluar njoftoi formimin e Bordit të Paqes si pjesë e planit për armëpushim në Gaza dhe përpjekjeve për rindërtimin e enklavës.
Trump fton Australinë, Vietnamin dhe Tajlandën t’i bashkohen Bordit të Paqes për Gazën
Trump fton Australinë, Vietnamin dhe Tajlandën t’i bashkohen Bordit të Paqes për Gazën / AP
19 Janar 2026

Presidenti amerikan Donald Trump, në cilësinë e kryetarit të Bordit të Paqes për Gazën, ka ftuar Australinë, Vietnamin dhe Tajlandën t’i bashkohen këtij organi ndërkombëtar, sipas raportimeve mediatike dhe deklaratave zyrtare.

Në një intervistë radiofonike të hënën për ABC Sydney, kryeministri australian Anthony Albanese tha se Trump e ka ftuar Kanberrën t’i bashkohet bordit, sipas transkriptit të intervistës.

“Kemi marrë një letër nga presidenti që ka mbërritur, mendoj, mbrëmë. Është diçka që ende nuk kemi pasur kohë ta shqyrtojmë. Do t’i shqyrtojmë të gjitha këto qasje me respekt dhe përmes proceseve tona të rregullta”, tha Albanese.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Tajlandës njoftoi të hënën se edhe Tajlanda ka marrë një ftesë të ngjashme.

“Tajlanda konfirmon marrjen e letrës së ftesës nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, lidhur me Planin Gjithëpërfshirës për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza dhe nismën amerikane për krijimin e Bordit të Paqes, dhe po shqyrton detajet”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste të Vietnamit, To Lam, ka pranuar ftesën e Trumpit për t’iu bashkuar Këshillit të Paqes për Gazën dhe “ka konfirmuar gatishmërinë e Vietnamit për të marrë pjesë si shtet anëtar themelues i këshillit”, bëri të ditur Ministria e Jashtme vietnameze në një deklaratë të dielën.

Trump ka ftuar gjithashtu kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif, dhe kryeministrin e Indisë, Narendra Modi, për t’iu bashkuar këtij organi ndërkombëtar.

Në një deklaratë të shkurtër, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Pakistanit, Tahir Andrabi, tha të dielën se “kryeministri i Pakistanit ka marrë ftesën … për t’iu bashkuar Bordit të Paqes për Gazën”.

Ambasadori i ShBA-së në Indi, Sergio Gor, shkroi të dielën në platformën X se i kishte përcjellë Modit ftesën e Trumpit për të marrë pjesë në bord, “i cili do të sjellë paqe të qëndrueshme në Gaza”.

Nuk pati reagim të menjëhershëm zyrtar nga Nju Delhi.

Të premten, Shtëpia e Bardhë njoftoi formimin e Bordit të Paqes për të “luajtur një rol thelbësor në zbatimin” e 20 pikave të planit të Trumpit për t’i dhënë fund përfundimisht luftës së Izraelit në Gaza dhe për rindërtimin e enklavës, si dhe për “ofrimin e mbikëqyrjes strategjike, mobilizimin e burimeve ndërkombëtare dhe sigurimin e llogaridhënies, ndërsa Gaza kalon nga konflikti drejt paqes dhe zhvillimit”.

ShBA-ja ka krijuar gjithashtu Komitetin Kombëtar për Administrimin e Gazës për të zbatuar fazën e dytë të Planit Gjithëpërfshirës të Trumpit për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza, si dhe një Bord Ekzekutiv themelues dhe një Bord Ekzekutiv të Gazës për të mbështetur kornizën tranzitore.

Trump ka ftuar edhe krerë të tjerë shtetesh dhe qeverish për t’iu bashkuar bordit, përfshirë presidentin e Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë