Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy ka kërkuar nga një gjykatë në Paris që dy nga dënimet e tij përfundimtare të kryhen njëkohësisht, një lëvizje që mund ta shpëtojë nga vendosja e një paisjeje për monitorim elektronik, raportoi të hënën transmetuesi francez BFMTV.
Gjykata Penale e Parisit po shqyrton një kërkesë të dorëzuar nga ekipi ligjor i Sarkozys, i cili kërkon që dënimi i tij në rastin e financimit të fushatës Bygmalion të bashkohet me një dënim që ai ka kryer tashmë në rastin e përgjimeve Bismuth.
Avokatët e tij argumentojnë se pjesa gjashtëmuajshe e dënimit Bygmalion duhet të konsiderohet e kryer, pasi Sarkozy kishte mbajtur më parë një paisje monitorimi elektronik vitin e kaluar në lidhje me dënimin Bismuth.
Në shkurt 2024, Gjykata e Apelit e Parisit e dënoi Sarkozyn me një vit burg, përfshirë gjashtë muaj që duhej të kryheshin nën masa alternative, për financimin e paligjshëm të fushatës së tij presidenciale të dështuar në 2012. Gjykata e Kasacionit franceze hodhi poshtë ankimimin e tij në nëntor, duke e bërë vendimin përfundimtar.
Rasti shënoi dënimin e tij të dytë përfundimtar, pas një dënimi trevjeçar, përfshirë një vit nën monitorim elektronik, për korrupsion dhe ndikim në aferën Bismuth. Ky vendim u bë përfundimtar në dhjetor 2024. Sarkozy mbajti paisjen elektronike nga 7 shkurt deri më 12 maj 2025, para se t’i jepej lirim me kusht për shkak të moshës.
Sipas ligjit francez, bashkimi i dënimeve lejohet në kushte të caktuara, përfshirë kur veprat penale janë kryer para një dënimi përfundimtar dhe kur dënimet janë të natyrës së njëjtë. Vendimi i gjykatës pritet në një datë të mëvonshme dhe mund të apelohet.
Sarkozy pritet gjithashtu të kthehet në gjykatë më 16 mars për gjykimin e apelit në rastin e financimit të fushatës libiane, ku në shkallën e parë ishte dënuar me pesë vjet burg për bashkëpunim kriminal.






















