| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Maqedonia e Veriut u bën thirrje qytetarëve të saj të largohen nga Meksika
Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Tregtisë së Jashtme (MPJTJ), në një postim në platformën amerikane për rrjetet sociale X, u apeloi qytetarëve maqedonas ta braktisin Meksikën.
Maqedonia e Veriut u bën thirrje qytetarëve të saj të largohen nga Meksika
Maqedonia e Veriut u bën thirrje qytetarëve të saj të largohen nga Meksika / TRT Balkan
12 orë më parë

Maqedonia e Veriut u bëri thirrje qytetarëve të saj të largohen nga Meksika. 

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Tregtisë së Jashtme (MPJTJ), në një postim në platformën amerikane për rrjetet sociale X, u apeloi qytetarëve maqedonas ta braktisin Meksikën.

"Për shkak të përkeqësimit të sigurisë në Meksikë, Ministria u apelon qytetarëve maqedonas që ndodhen në territorin e këtij shteti, ta lënë atë sa më shpejt të jetë e sigurt. Rekomandohet shtyrja e të gjitha udhëtimeve drejt Meksikës që nuk janë të domosdoshme", thekson ministria.

Ministria gjithashtu i vuri në dispozicion të gjitha kapacitetet e saj për asistencë të qytetarëve, përmes linjës emergjente 24-orëshe: +38975268736, adresës elektronike: globalsos@mfa.gov.mk, si dhe përmes numrit të telefonit të përkujdesjes së përfaqësisë diplomatiko-konzullore maqedonase në Uashington: +1 (202) 758-7798.

Theksohet se ministria ndjek vazhdimisht situatën dhe do ta informojë publikun në kohë.

Forcat federale të sigurisë së Meksikës të dielën realizuan një operacion ushtarak të drejtuar kundër Kartelit Jalisco Nueva Generacion në qytetin Tapalpa, rreth 130 kilometra në jug të Guadalajarës, kryeqytetit të shtetit Jalisco. Raportet theksojnë se lideri i kartelit, El Mencho, u vra gjatë përleshjes.

Pas operacionit u raportuan shumë bllokime të rrugëve dhe raste të djegies së automjeteve dhe bizneseve në Jalisco dhe shtete të tjera, të përshkruara si një hakmarrje e mundshme nga organizata kriminale.

Qeveria e shtetit Jalisco u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, pezulloi transportin publik dhe aktivizoi "alarm të kuq" për shkak të kërcënimeve për sigurinë publike.

Në ditët e fundit, dhuna është intensifikuar në disa shtete të Meksikës.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë