Është rritur në 65.344 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023.
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, janë ndarë të dhënat e fundit në lidhje me viktimat dhe të plagosurit në sulmet që Izraeli vazhdon në Rripin e Gazës.
Në 24 orët e fundit në spitalet e Gazës janë sjellë 61 palestinezë të vrarë dhe 220 të tjerë të plagosur. Të paktën 12.785 palestinezë janë vrarë dhe 54.754 të tjerë janë plagosur në sulmet që ushtria izraelite ka kryer që nga 18 marsi e deri më tani, duke shkelur armëpushimin e arritur më 19 janar.
Është rritur mbi 2.523 numri i personave të vrarë dhe mbi 18.496 i të plagosurve që nga 27 maji në sulmet sistematike që shënjestrojnë palestinezët në të ashtuquajturat pika shpërndarjeje të ndihmave në Gaza, të drejtuara nga Izraeli dhe ShBA-ja.
Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 është rritur në 65.344, ndërsa numri i të plagosurve në 166.795.
Thuhet se mijëra të vdekur ndodhen ende nën rrënoja në Rripin e Gazës.
Lufta e vazhdueshme e Izraelit në Gaza ka shkatërruar enklavën, e cila po përballet me një uri të rëndë.
Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për shkak të luftës në enklavën palestineze.