LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
Lewis Hamilton bën thirrje për ndihmë për Gazën, kujton vlerësimin e OKB-së për gjenocid
Piloti britanik i Formula 1 bëri apel për mbështetje të organizatave humanitare që ndihmojnë palestinezët, duke theksuar se “nuk duhet të qëndrojmë duarkryq”.
Lewis Hamilton bën thirrje për ndihmë për Gazën, kujton vlerësimin e OKB-së për gjenocid
Lewis Hamilton bën thirrje për ndihmë Gazës, kujton vlerësimin e OKB-së për gjenocid / AA
11 orë më parë

Shoferi i Formula 1, Lewis Hamilton, ka tërhequr vëmendjen mbi përkeqësimin e situatës në Gaza, duke u bërë thirrje njerëzve të mbështesin përpjekjet humanitare, pas raportit të Komisionit Hetimor të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që e cilësoi situatën si gjenocid.

“Situata në Gaza po përkeqësohet dita-ditës. Në dy vitet e fundit, mbi 10 për qind e popullsisë është vrarë ose plagosur, përfshirë dhjetëra mijëra fëmijë, dhe ky numër vazhdon të rritet”, shkroi Hamilton në Instagram.

Ai shtoi se sulmi i fundit mbi qytetin e Gazës ka detyruar qindra mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërkohë që spitalet në të gjithë Rripin janë tashmë të mbingarkuara me të uritur dhe viktima të bombardimeve të pandërprera.

“Si qenie njerëzore, nuk mund të qëndrojmë duarkryq dhe të lejojmë që kjo të vazhdojë”, theksoi Hamilton.

Ai pranoi se është e vështirë të mos ndihesh i pafuqishëm përballë një tragjedie kaq të madhe, por theksoi se veprimi është i domosdoshëm.

Hamilton shtoi se ka organizata që po bëjnë “një punë të jashtëzakonshme” për të ndihmuar palestinezët, por që u nevojitet mbështetje financiare.

Ai bëri të ditur se personalisht ka dhuruar për tre organizata – Gjysmëhënën e Kuqe Palestineze, Mjekët pa Kufij dhe Save the Children UK – dhe u bëri thirrje ndjekësve të tij që t’i bashkohen.

“Nëse keni diçka që mund të ndani, do të isha mirënjohës po të më bashkoheshit,” shkroi Hamilton.

Sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore palestineze, që nga tetori i vitit 2023 ushtria izraelite ka vrarë gati 65.000 palestinezë në Gaza, shumica gra dhe fëmijë.

Rreth një milion persona, kryesisht të zhvendosur nga pjesë të tjera të Rripit, vazhdojnë të mbeten të bllokuar në qytetin e Gazës nën sulme të pandërprera.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë