LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
Presidenti i Këshillit Evropian: Në Gaza duhet armëpushim i menjëhershëm
Duke folur në konferencën për media pas takimit, Costa tha se ngjarjet në Lindjen e Mesme paraqesin sfida për paqen, stabilitetin dhe aftësinë e Evropës për t'u përballur me valët e migrimit.
Presidenti i Këshillit Evropian: Në Gaza duhet armëpushim i menjëhershëm
Presidenti i Këshillit Evropian: Në Gaza duhet armëpushim i menjëhershëm / AA
15 Shtator 2025

Gjatë vizitës së tij në Greqi, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa tha se duhet një armëpushim i menjëhershëm në Gaza, ndalimi i vendbanimeve të paligjshme në Bregun Perëndimor dhe krijimi i kushteve të nevojshme në mënyrë që zgjidhja me dy shtete të funksionojë.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis priti në takim në Athinë presidentin e Këshillit Evropian, Costa.

Duke folur në konferencën për media pas takimit, Costa tha se ngjarjet në Lindjen e Mesme paraqesin sfida për paqen, stabilitetin dhe aftësinë e Evropës për t'u përballur me valët e migrimit.

"Prandaj, ne duhet të interesohemi nga afër me rajonin. Ne duhet të kërkojmë arritjen e një armëpushimi të menjëhershëm në Gaza, ndalimin e vendbanimeve të paligjshme në Bregun Perëndimor dhe krijimin e kushteve të nevojshme në mënyrë që zgjidhja me dy shtete të funksionojë", tha Costa.

Duke tërhequr vëmendjen se 23 nga 27 vendet e BE-së janë anëtare të NATO-s, Costa rikujtoi se anëtarët kanë vendosur të rrisin shpenzimet ushtarake.

"Kjo nuk ka të bëjë vetëm me shpenzime më të larta, ka të bëjë edhe me shpenzime më të mira. Për të shpenzuar më mirë, duhet të sigurohemi që të punojmë së bashku dhe të kemi prokurime të përbashkëta si dhe mallra të përbashkëta të financuara nga fondet e përbashkëta", shtoi ai.

- "Jemi shumë të shqetësuar pas shkeljes së sovranitetit territorial të Katarit"

Kryeministri grek Mitsotakis tha se zhvillimet në Lindjen e Mesme u diskutuan gjatë takimit të tij me Costën. "Ne mbështesim përpjekjet për të negociuar një armëpushim të propozuar nga ShBA-ja, Katari dhe Egjipti, por jemi shumë të shqetësuar pas shkeljes së sovranitetit territorial të Katarit", tha ai.

Mitsotakis theksoi nevojën për të shmangur çdo veprim që do të përshkallëzojë tensionet në Gaza, duke theksuar se një situatë e tillë do ta përkeqësojë më tej situatën dramatike të përjetuar nga civilët në Rripin e Gazës.

Ai ndau informacionin se gjatë takimit u diskutuan çështje të tilla si migracioni dhe politikat e përbashkëta evropiane të mbrojtjes. "Duhet të ketë fond evropian për të financuar shpenzimet e mbrojtjes që do të prekin të gjithë Evropën, siç janë mbrojtja ajrore ose sistemet anti-raketore", tha Mitsotakis.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë