LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
Ministria e Shëndetësisë në Gaza: Izraeli po e pengon OBSh-në të furnizojë me karburant spitalet
Që nga 7 tetori 2023, në sulmet e Izraelit mbi Rripin e Gazës kanë humbur jetën të paktën 64.964 palestinezë, ndërsa 165.312 të tjerë janë plagosur.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza: Izraeli po e pengon OBSh-në të furnizojë me karburant spitalet
Ministria e Shëndetësisë në Gaza: Izraeli po e pengon OBSh-në të furnizojë me karburant spitalet / AA
12 orë më parë

Izraeli ka penguar Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSh) që të dërgojë karburant në spitalet e Gazës, raportuan burime lokale.

"Pushtuesi izraelit po pengon me qëllim përpjekjet e OBSh-së për të dërguar karburant në spitalet e qytetit të Gazës", thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.

Sipas deklaratës, Izraeli "ka bllokuar me ngulm" edhe përdorimin e rrugëve alternative për furnizimin e spitaleve në qytetin e Gazës dhe në veri.

Theksohet se karburanti përdoret për funksionimin e gjeneratorëve në spitale dhe se ndalimi i OBSh-së për të sjellë karburant do të thotë pezullim i plotë i shërbimeve shëndetësore.

Deklarata paralajmëroi se nëse karburanti nuk arrin, Qendra Mjekësore Sahaba, Spitali i Shërbimeve të Përgjithshme, stacioni qendror i oksigjenit, ambulancat dhe spitale të tjera do të mbeten jashtë funksionit brenda pak ditësh.

Mungesa e ambulancave dhe mbyllja e stacionit qendror të oksigjenit do të shkaktonin një “katastrofë të rrezikshme shëndetësore dhe humanitare", thuhet më tej.

Ministria bëri thirrje për ndërhyrje të menjëhershme, që spitalet e mbetura në Rripin e Gazës të kenë akses të sigurtë në karburantin e domosdoshëm.

Në këto spitale, trajtimi i pacientëve dhe i të plagosurve varet nga pajisjet mjekësore që funksionojnë me energjinë e siguruar nga gjeneratorët.

Izraeli, i cili ka kufizuar hyrjen e ndihmave humanitare, ilaçeve dhe karburantit në Gaza, me këtë veprim rrezikon drejtpërdrejt jetën e pacientëve dhe të plagosurve që mbahen në jetë nga pajisjet mjekësore.

Që nga 7 tetori 2023, në sulmet e Izraelit mbi Rripin e Gazës kanë humbur jetën të paktën 64.964 palestinezë, ndërsa 165.312 të tjerë janë plagosur.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë